DASH shkarkon mbi 1 300 punonjës, pjesë e planit të ristrukturimit të Trump

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) do të shkarkohen nga detyra më shumë se 1 300 punonjës – në përputhje me planin e riorganizimit të administratës Trump, i cili sipas kritikëve mund të dëmtojë lidershipin global të Amerikës dhe përpjekjet për t’iu kundërvënë kërcënimeve jashtë vendit, sipas “Washington Post”.
“Departamenti ka filluar të dërgojë njoftime për pushim nga puna për 1 107 nëpunës civilë dhe 246 oficerë të shërbimit të jashtëm me detyra në SHBA”, sipas një zyrtari të lartë të departamentit, i cili foli në kushte anonimiteti.
“Zyrtarët e shërbimit të jashtëm të prekur – do të vendosen menjëherë në leje administrative për 120 ditë – pas së cilës ata do të humbasin zyrtarisht vendet e tyre të punës”, sipas një njoftimi të brendshëm.
“Shkurtimet e numrit të punonjësve janë përshtatur me kujdes duke prekur funksionet jo-thelbësore, zyrat e dyfishta ose të tepërta”, thuhet në njoftim.
Ndërsa plani i riorganizimit u vlerësua nga presidenti Donald Trump, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe aleatët e tyre republikanë – shkurtimet janë kritikuar ashpër nga diplomatët aktualë dhe ish-diplomatë të cilët thonë se ato do të dobësojnë ndikimin e SHBA-së dhe aftësinë për t’u përballur me kërcënimet ekzistuese dhe të reja jashtë vendit.


