Danimarka heq masat kufizuese, nga 1 shkurti nuk s'do ketë më certifikata vaksinimi me detyrim

Danimarka ka hequr të gjitha masat kufizuese anti-covid të martën, duke u bërë shteti i parë i Bashkimit Evropian që ndërmerr këtë vendim, edhe pse vendi po përballet me infektime rekorde si pasojë e variantit Omikron.
Nga 1 shkurti, certifikata e vaksinimit apo mbajtja e maskës nuk do të kërkohet në asnjë ambient, të hapur apo të mbyllur.
Nga e marta gjithashtu do të hiqet edhe orari kufizues për baret dhe restorantet.
E vetmja masë që do të ngelë në fuqi, do të jetë ndalimi i hyrjes për të pavaksinuarit që vijnë nga vendet që nuk bëjnë pjesë në Zonën Shengen.
Kjo masë e ndalimit vlen edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova.
Heqja e kufizimeve bëhet në një kohë kur vendi përballet me rreth 40 deri në 50 mijë infektime ditore, ose e thënë ndryshe 1% e të gjithë popullsisë.
Mbi 60 % e danezëve janë të vaksinuar me dozën e tretë, e cila është rreth 15% më e lartë me mesataren e vendeve të BE-së.
Qytetarët danezë e mbështesin fuqimisht strategjinë e autoriteteve shtetërore për përballimin e pandemisë, ku sipas një sondazhi të publikuar në 31 janar, 64% e të anketuarve tha se kishte besim te qeveria lidhur me menaxhimin e pandemisë.


