Cirku i Diellit në tur europian, trupa e famshme rikthehet pas pandemisë

Cirku i Diellit është rikthyer me turneun e tij të parë pas pandemisë në Europë. Shfaqja që do të mbahet pranë Barcelonës, quhet "Luzia" dhe është një spektakël me frymëzim surrealist meksikan.
Dy vjet pas pandemisë, rikthehet Cirku i Diellit me turneun e parë në Europë. Kompania sjell shfaqjen “Luzia”, një "ëndërr zgjimi" të frymëzuar nga "njerëzit, vendet dhe historitë që përcaktojnë Meksikën", në zonën e Barcelonës deri më 10 prill 2022.
"Ky është momenti që të gjithë e kemi pritur. Ne po kthehemi në një qytet ku jemi ndjerë gjithmonë si në shtëpinë tonë. Është një kohë veçanërisht emocionale pasi mezi presim të kthehemi në skenë," tha presidenti dhe regjisori i Cirque du Soleil, Daniel Lamarre.
Grupi kanadez, i njohur për cirkun e tij fantastik, të lëvizshëm, përbëhet nga rreth 50 artistë që do të performojnë, ndërsa i gjithë ekipi i Cirkut të Diellit janë afërsisht 140 vetë, që e bëjnë të mundur këtë spektakël.
“Është një shfaqje surreale, bashkëkohore që përfaqëson Meksikën, por jo në një mënyrë klishe, por në një mënyrë shumë të bukur, shumë artistike, shumë bashkëkohore” -tha Diana Ham, specialiste e kërcimit.
Me Luzia-n, Cirque du Soleil do të festojë 24 vjet turne në Katalonjë, me një duzinë shfaqje të ndryshme. Spektakli i ardhshëm përfshin pothuajse 50 interpretues dhe përshkruhet nga kompania si "një seri surrealiste surprizash vizuale madhështore dhe shfaqje akrobatike të lë pa frymë".

