Bullgaria drejt një epoke të re politike/ Rumen Radev prezanton kabinetin pas fitores bindëse në zgjedhje

Bullgaria drejt një epoke të re politike/ Rumen Radev prezanton
Rumen Radev ka prezantuar kabinetin e ri qeveritar në Bullgari, pasi partia e tij fitoi zgjedhjet parlamentare të 19 prillit me shumicën e votave në parlament. Fitorja e “Partisë Progresive të Bullgarisë” pritet t’i japë vendit qeverinë e parë njëpartiake pas afro 30 vitesh.

Në daljen e tij publike, Radev vendosi në fokus situatën ekonomike, duke premtuar masa për uljen e çmimeve dhe rikthimin e stabilitetit financiar në vend.

Ai foli gjithashtu për reforma në sistemin e drejtësisë dhe forcimin e institucioneve shtetërore.

Qeveria e re pritet të ndërmarrë hapa të shpejtë për miratimin e buxhetit dhe zhbllokimin e fondeve të Bashkimit Europian, të cilat kanë mbetur pezull për shkak të reformave të papërfunduara në luftën kundër korrupsionit dhe në sistemin gjyqësor.

Radev prezantoi edhe emrat e rinj në poste të rëndësishme, përfshirë ministrinë e Financave dhe atë të Jashtme. Ndërkohë, vëmendja e analistëve është përqendruar te politika e jashtme e qeverisë së re, për shkak të qëndrimeve të mëparshme të Radevit ndaj Rusisë.

EMISIONET