Britania kërkon ndihmë nga Italia për çështjen e emigrantëve
Grupet e të drejtave të njeriut i kanë kërkuar Britanisë të mos kopjojë qasjen e Italisë në përpjekjen për të ulur numrin e emigrantëve që mbërrijnë në brigjet e saj.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell, Kryeministri britanik Keir Starmer shkoi në Romë këtë javë për të mësuar më shumë rreth suksesit të Italisë për trajtimin e migracionit, pasi një numër i madh njerëzish mbërrin me varka të vogla në Britani përmes Kanalit të La Manshit.
Në një kamp të improvizuar afër portit francez Calais, një grup emigrantësh, kryesisht sudanezë, presin për mundësinë e parë për të shkuar në Britani.
Javën e kaluar tetë persona u mbytën duke kaluar Kanalin e La Manshit me varka të vogla.
Emigrantët, të cilët kërkuan të mos identifikohen, thonë se janë të vendosur për të shkuar në Britani.
“Të gjithë këtu kanë frikë, por ne duhet ta përballojmë këtë rrezik, sepse duam të arrijmë në Britani. Nuk ka asnjë rrugë tjetër”, thotë një emigrant sudanez.
Më shumë se 22 mijë emigrantë e kanë bërë këtë vit udhëtimin me varka të vogla përmes Kanalit të La Manshit. Më shumë se 800 njerëz mbërritën të shtunën e kaluar.
Kjo është kthyer në një çështje të madhe politike. Kryeministri Keir Starmer shkoi në Itali të hënën për të mësuar nga suksesi i saj në uljen e emigracionit nga Afrika e Veriut.
“Ju keni bërë përparim të jashtëzakonshëm duke punuar me vendet përgjatë rrugëve të migracionit, duke u marrë me nxitësit e migrimit në vendet prej nga vijnë emigrantët dhe duke luftuar bandat.
Si rezultat, ardhjet e parregullta në Itali nga deti janë ulur me 60% që nga viti 2022.
Pra, jam i kënaqur që po thellojmë bashkëpunimin tonë”, tha Keir Starmer, Kryeministër i Britanisë.
Italia ka bërë marrëveshje shumë milionë dollarëshe me Libinë dhe Tunizinë për të ndaluar emigrantët të largohen nga brigjet e tyre. Organizatat për të drejtat e njeriut i akuzojnë këto vende për abuzim me emigrantët.
Lexoni edhe këtëShqipëri, vijon puna në një nga qendrat e pritjes së emigrantëve
Roma nënshkroi gjithashtu një marrëveshje me Shqipërinë vitin e kaluar për të dërguar mijëra azilkërkues atje.
“Nëse funksionon, siç shpresoj se do të ndodhë, kjo mund të bëhej një mënyrë e re për t'u marrë me fluksin e migracionit”, thotë Giorgia Meloni, Kryeministre e Italisë.
Kritikët vënë në dyshim qasjen e Italisë.
“Organizata ‘Amnesty Internationa’l ka dyshime nëse qasja italiane është në përputhje me detyrimet e saj ligjore ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.
Ajo që ne shpresojmë është se vende si Britania e Madhe të kenë një sistem funksional azili, një sistem që do t'i shqyrtonte kërkesat siç duhet, por me shpejtësi dhe do të trajtonte në mënyrë njerëzore emigrantët, që në shumë raste, po ikin nga situata të tmerrshme”, thotë Sacha Deshmukh, drejtues i organizatës “Amnesty International” në Britani.
Britania do t’i jap Francës afro 600 milionë dollarë për tre vjet për të rritur kontrollin e brigjeve franceze. Megjithatë, numri i emigrantëve vazhdon të rritet.
Kryeministri Starmer tha se qëllimi kryesor mbetet kthimi i emigrantëve, që nuk i kanë plotësuar kushtet e azilit, në vendet e tyre të origjinës. Ai gjithashtu përmendi se qëllim mbetet edhe ‘shkatërrimi’ i bandave të kontrabandës./VOA