Brendola po rekruton vlerësues aromash/ Identifikimi i aromave të pakëndshme, një përpjekje për të përmisuar cilësinë e ajrit

Qyteti i vogël Brendola në provincën e Vicenzës po kërkon njerëz për të identifikuar aromat e pakëndshme në zonat industriale, në një përpjekje për të përmirësuar cilësinë e ajrit.
Kryetari Bruno Beltrame, tha se po rekrutohen gjashtë vlerësues të cilët duhet të mos kenë alergji ose sëmundje të frymëmarrjes dhe të jenë të aftë të regjistrojnë me përpikmëri të dhënat.
Qëllimi i iniciativës, e cila do të zgjasë rreth gjashtë muaj, është të gjurmohet origjina e aromave të pakëndshme dhe të monitorohen kompanitë përgjegjëse.
Beltrame shtoi se prjekti është pjesë e një programi më të madh për përmirësimin e ajrit dhe ujit në të gjithë provincën, ku bizneset që shkelin rregullat gjobiten rëndë.
Brendola ndodhet në Luginën e Po-s, një nga zonat më të ndotura të Europës.
Pas një shpalljeje fillestare që dështoi për shkak të kohës para Krishtlindjes, nisma u ribotua në rrjete dhe rreth 40 studentë aplikuan, të gatshëm për të kontribuar.

