Perëndimi nxjerr mësime nga Putin, Gjermania rrit me 100 miliardë euro fondet për mbrojtjen e vendit

Perëndimi nxjerr mësime nga Putin, Gjermania rrit me 100 miliardë

Gjermania do të rrisë buxhetin për mbrojtjen ushtarake me 100 miliardë euro si pasojë e kërcënimit rus. Vendimi mori formë disa vjet pasi SHBA-të dhe NATO këmbëngulnin për rritjen e fondit, të cilën ish-kancelarja Merkel e refuzoi.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka njoftuar se vendi do të rrisë me 100 miliardë euro buxhetin ushtarak për mbrojtjen gjatë vitit 2022.

Rritja e mprehtë e buxhetit për mbrojtjen vjen pasi Rusia sulmoi Ukrainën të enjten, akt i cili është dënuar gjerësisht.

Kjo do të thotë se Gjermania do të shpenzojë tani më shumë se 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, një objektiv i hershëm i NATO-s të cilin vendi nuk ka arritur ta përmbushë, pavarësisht presionit nga SHBA-të dhe në veçanti ish-presidenti Donald Trump.

Komentet Scholz i bëri gjatë një seance të jashtëzakonshme në Bundestag dhe shtoi se bota ka hyrë në një epokë të re pas sulmit të Ukrainës.

 

"Ne duhet të mbështesim Ukrainën në këtë situatë të dëshpëruar dhe ne e kemi bërë këtë në kontekst të gjerë në javët, muajt dhe vitet e fundit. Por me sulmin e Ukrainës, ne jemi futur në një epokë të re. Në Kiev dhe Karkiv njerëzit nuk janë duke mbrojtur vetëm atdheun e tyre. Ata janë duke luftuar për lirinë dhe demokracinë e tyre".

Kancelari foli edhe për ndikimin e sanksioneve të perëndimit, ku argumentoi se stoqet e Rusisë në tregjet ndërkombëtare kanë rënë.

"Putin nuk do të ndryshojë kursin e tij brenda natës. Por shumë shpejt lidershipi rus do të ndjejë çmimin e lartë që po paguan. Tashmë në javën e fundit, stoqet ruse ranë me 30%. Kjo tregon që sanksionet tona po funksionojnë dhe ne rezervojmë të drejtën për të vendosur sanksione të mëtejshme".

EMISIONET