Bjellorusia liron 52 të burgosur politikë pas ndërmjetësimit të SHBA-së

Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko ka liruar 52 të burgosur politikë dhe i ka dëbuar ata nga vendi pas negociatave me Shtetet e Bashkuara, deklaroi presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausëda.
“Askush nuk mbeti pas! 52 të burgosur kaluan shëndoshë e mirë kufirin lituanez nga Bjellorusia sot, duke lënë pas tela me gjemba, dritare me hekura dhe frikë të vazhdueshme”, shkroi ai në X.
Sipas raporteve nga Minsku, 14 nga të burgosurit e liruar janë shtetas të huaj, përfshirë qytetarë të Lituanisë, Letonisë, Polonisë, Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Nausëda ia atribuoi lirimin presidentit të SHBA-së Donald Trump.
“Jam thellësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe personalisht presidentit Donald Trump për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të liruar të burgosurit politikë”, shkroi ai.
Midis të liruarve, sipas organizatës së të drejtave të njeriut ”Viasna”, është ish-kandidati presidencial, Nikolai Statkevich.

