Biden udhëton nesër për në Evropë: Putin mendoi se do të na ndante, por ne jemi më të fortë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të mërkurën do të udhëtojë në Evropë, për të diskutuar me liderët evropianë dhe aleatët e NATO-s për luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Nesër do të udhëtoj në Evropë për t’u takuar me aleatët dhe partnerët tanë, fiks një muaj pasi Putini intensifikoi luftën e tij brutale në Ukrainë”, shkroi Biden në rrjetin social Twitter.
Ndalesa e tij e parë do të jetë Belgjika, ku do të takohet me aleatët e NATO-s, udhëheqësit e G7-ës dhe liderët e Bashkimit Evropian për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta për të mbështetur Ukrainën dhe për t'i imponuar kosto të rënda Rusisë për pushtimin e saj.
Më pas do të udhëtojë në Poloni për të zhvilluar një takim dypalësh me Presidentin Andrzej Duda.
"Mezi pres të diskutojmë përgjigjen tonë ndaj krizës humanitare dhe të të drejtave të njeriut që Rusia ka krijuar në Ukrainë".
Biden thekson se "në këtë udhëtim do të bëjmë të qartë se Perëndimi është i bashkuar në mbrojtjen tonë të demokracisë. Putin mendoi se do të na ndante, por ne jemi më të fortë se në çdo kohë të historisë së fundit. Ne qëndrojmë me Ukrainën dhe do të vazhdojmë të sigurojmë që Putini të paguajë një çmim të rëndë ekonomik për veprimet e tij".

