Beteja për Donbasin ka nisur, disa persona të vdekur nga bombardimet ruse

Ashtu siç ishte paralajmëruar, forcat ruse kanë nisur ofensivën në rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës, për të cilën qeveria e Kievit ka thënë se është beteja kryesore e popullit ukrainas. Kreu i shtetit njofton se ukrainasit nuk do të tërhiqen, edhe sikur të vijnë mijëra rusë.
Ukraina ka thënë se lufta ka filluar në rajonin e Donbasit.
Ashtu siç kishte paralajmëruar, Kievi pretendon se beteja në shkallë të gjerë ka nisur në rajonin lindor të vendit.
Ushtria ukrainase thotë se fokusi kryesor i trupave ruse është të depërtojnë mbrojtjen e ushtrisë ukrainase në rajonet e Llugansk dhe Donjeck.
Kreu i shtetit, Zelenski thotë se asgjë nuk do t’i ndalë forcat e tij, pavarësisht se sa rusë do të vijnë në rajon.
Zelenski: "Tani mund të konfirmojmë se trupat ruse kanë filluar betejën për Donbasin, të cilën ata e kanë përgatitur prej një kohe të gjatë. Një pjesë e madhe e ushtrisë ruse tani i është përkushtuar kësaj ofensive. Sado ushtarë rusë të vijnë këtu, ne do të luftojmë. Ne do të mbrohemi. Ne do ta bëjmë atë çdo ditë. Ne nuk do të heqim dorë nga asgjë e jona dhe nuk kemi nevojë për ato që nuk na përkasin ne."
Pak përpara fjalimit të Zelenskit, guvernatori rajonal i rajonit lindor të Luganskut njoftoi gjithashtu fillimin e sulmit të shumëpritur të Rusisë.
Luftimet ishin intensifikuar në Ukrainën lindore pasi Rusia tërhoqi trupat nga rajoni i Kievit për t’u fokusuar në rajonin e Donbasit, të cilin e kanë kontrolluar pjesërisht separatistët pro-rusë që nga viti 2014.
Granatimet ruse vranë të hënën të paktën tetë civilë në Ukrainën lindore, e po kështu në Donjeck u raportua se 4 civilë të tjerë vdiqën pas bombardimeve ruse.
