VIDEO/ Stadiumi “Myslim Koçi” në Gramsh drejt transformimit në infrastrukturë moderne

Stadiumi “Myslym Koçi” në Gramsh, po transformohet në një infrastrukturë moderne sipas standardeve evropiane.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale pamjet nga puna që po kryhet për transformimin e këtij stadiumi.
Projekti parashikon rindërtimin e tribunës kryesore së bashku me të gjitha ambientet teknike të nevojshme, si dhe ndërtimin e fushës së re me bar artificial, sipas standardeve bashkëkohore për zhvillimin e aktiviteteve sportive.
Aktualisht po vijojnë punimet për ndërtimin e tribunës, ndërsa në fazën e ardhshme pritet të nisë edhe puna për realizimin e bazamentit të fushës, një hap i rëndësishëm drejt kompletimit të impiantit.
Ky investim është pjesë e strategjisë së Federatës së Futbollit për zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë vendin, me synimin për t’u ofruar klubeve, akademive dhe futbollistëve të rinj ambiente moderne dhe funksionale për stërvitje e gara.
Pas përfundimit të punimeve, stadiumi “Myslim Koçi” do të shndërrohet në një impiant modern sportiv në shërbim të futbollit në Gramsh dhe komunitetit sportiv të zonës, duke krijuar mundësi më të mira për zhvillimin e brezave të rinj dhe rritjen e aktivitetit futbollistik në qytet.


