BBC shkel udhëzimet e saj për saktësinë me dokumentarin për Gazën

Një dokumentar i BBC-së për fëmijët në Gaza ka shkelur udhëzimet editoriale për saktësinë duke mos zbuluar se narratori fëmijë ishte djali i një zyrtari të Hamasit, ka zbuluar një rishikim i brendshëm i korporatës.
Sipas një raporti të The Guardian, hetimi mbi realizimin e dokumentarit Gaza: How to Survive a Warzone nuk gjeti shkelje të tjera të udhëzimeve gjatë prodhimit të tij, përfshirë në aspektin e paanshmërisë.
“U morën në konsideratë me kujdes kërkesat për paanshmëri të duhur, duke pasur parasysh natyrën shumë të kontestuar të çështjes,” thuhet në raport.
Peter Johnston, drejtor i ankesave editoriale dhe rishikimeve në BBC, kreu rishikimin pas tërheqjes së dokumentarit nga platforma iPlayer, pasi u ngritën pretendime për mungesë transparence. Dokumentari ishte prodhuar nga kompania e pavarur Hoyo Films.
Johnston e cilësoi statusin e të atit të narratorit si “informacion kritik” që nuk ishte bërë i njohur për BBC-në para transmetimit. “Pavarësisht se si vlerësohej rëndësia e pozitës së të atit të narratorit, publiku duhej të ishte informuar,” tha ai.
Raporti thekson se Hoyo Films nuk kishte qëllim të mashtronte BBC-në, por mbante përgjegjësinë kryesore për dështimin, duke shtuar se BBC vetë gjithashtu mban një pjesë të përgjegjësisë.
Gjithashtu, nuk u gjet asnjë bazë për të përfunduar se ndonjë person i përfshirë në program ishte subjekt i sanksioneve financiare, si ato ndaj Hamasit. Për narratorin ishte paguar një honorar prej 795 paundësh.
Drejtori i Përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, i cili përballet me një nga javët më sfiduese të mandatit të tij pesëvjeçar për shkak të presionit politik nga ministrja e kulturës Lisa Nandy, tha:
“Raporti i Peter Johnston identifikon një dështim të rëndësishëm në lidhje me saktësinë e këtij dokumentari. E falënderoj për punën e tij të detajuar dhe kërkoj ndjesë për këtë dështim. Do të ndërmarrim veprime të qarta dhe të drejta për llogaridhënie dhe do të zbatojmë menjëherë hapa për të parandaluar përsëritjen e gabimeve të tilla.”
BBC nuk ka konfirmuar ende nëse dikush do të pushohet nga puna pas gjetjeve.
Raporti thekson gjithashtu se tre anëtarë të Hoyo Films e dinin statusin e të atit të narratorit, por askush brenda BBC-së nuk ishte në dijeni në atë kohë. Ky fakt u cilësua si një “neglizhencë e rëndësishme” nga ana e kompanisë prodhuese.
Po ashtu, ekipi i BBC-së u kritikua për “mungesë proaktiviteti” gjatë verifikimeve fillestare editoriale dhe për një “mungesë mbikëqyrjeje kritike mbi pyetjet e paplotësuara ose të përgjigjura pjesërisht”.
Në një deklaratë, Hoyo Films tha: “E marrim jashtëzakonisht seriozisht raportin e Peter Johnston mbi Gaza: How to Survive a Warzone dhe kërkojmë ndjesë për gabimin që rezultoi në shkeljen e udhëzimeve editoriale.”

