Axios: SHBA-të dhe Irani drejt bisedimeve bërthamore në Oslo javën e ardhshme

Sipas një raportimi të medias amerikane Axios, Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të zhvillojnë bisedime me Iranin javën e ardhshme në Oslo të Norvegjisë, me fokus në programin bërthamor iranian. Lajmi është konfirmuar nga dy burime diplomatike të paidentifikuara, ndërsa vetë qeveritë respektive ende nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare.
Në qendër të bisedimeve do të jetë stoku i uraniumit të pasuruar deri në 60% që Irani zotëron, një përqendrim shumë pranë nivelit të nevojshëm për armë bërthamore. Raportohet se pjesë të këtij stoku janë aktualisht të paarritshme për inspektorët ndërkombëtarë për shkak të dëmtimeve nga sulmet e fundit ajrore.
Në bisedime pritet të marrin pjesë emisari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi. Takimi në Oslo do të ishte i pari kontakt zyrtar mes dy vendeve që nga përplasjet ushtarake të muajit të kaluar dhe përfundimi i një armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit, i ndërmjetësuar nga SHBA.
Zyrtarët iranianë, megjithatë, kanë lënë të kuptohet se nuk ka ende një vendim përfundimtar për t’u ulur në tryezë. Ministri i Jashtëm Araghchi ka deklaruar se “Irani ka nevojë për më shumë kohë për të vendosur”, duke nënvizuar se vendi kërkon garanci se nuk do të përballet me sulme të reja amerikane gjatë procesit të negociatave.
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare po ndjek me vëmendje zhvillimet. Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-ës kanë bërë thirrje për rifillimin e negociatave dhe për një marrëveshje të re gjithëpërfshirëse e të verifikueshme që të sigurojë natyrën paqësore të programit bërthamor iranian.
Irani kohët e fundit ka ndërprerë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), pas miratimit të një ligji të ri në parlamentin iranian, duke krijuar një boshllëk në monitorimin ndërkombëtar. Kjo ka shtuar urgjencën për një marrëveshje të re, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta.
Takimi në Oslo, nëse ndodh, pritet të jetë një përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të vendosur rrugën drejt rifillimit të një marrëveshjeje bërthamore, ndonëse me shumë pak shpresë për rezultate të shpejta.

