Arrestohen tre 19-vjeçarë të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në Poloni

Arrestohen tre 19-vjeçarë të dyshuar për planifikimin e

Tre 19-vjeçarë janë arrestuar në Poloni, të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste, njoftuan sot autoritetet në qytetin verior, Olsztyn.

“Të tre të dyshuarit thuhet se kanë mbledhur eksplozivë dhe kanë kërkuar udhëzime se si të ndërtojnë pajisje shpërthyese”, sipas një raporti të përbashkët nga agjencia e inteligjencës vendase ABW dhe prokurorët.

Dy nga të dyshuarit u arrestuan në prill. Të tre personat po mbahen në paraburgim.

Sipas raportit, ata kishin shkëmbyer gjithashtu informacione përmes internetit mbi përdorimin e armëve të zjarrit, kishin marrë pjesë në poligone qitjeje dhe kishin organizuar seanca trajnimi të stilit ushtarak.

“Të dyshuarit ishin të frymëzuar nga krimet e vrasësve masivë, si Anders Breivik, Brenton Tarrant dhe Timothy McVeigh”, thuhet në raport.

“Të tre personat ishin të magjepsur nga ideologjia e tyre e krahut të djathtë dhe kishin analizuar si sulmet e tyre ashtu edhe gabimet që kishin bërë”, sipas raportit.

Breivik shpërtheu një makinë-bombë në lagjen qeveritare të Oslos në korrik 2011, duke vazhduar të masakronte pjesëmarrësit – në një tubim të të rinjve të partisë së qendrës së majtë në ishullin Utoya pranë Oslos.

Tarrant, një australian, qëlloi dhe vrau 51 persona në Zelandën e Re në mars të vitit 2019 dhe plagosi 50 persona të tjerë.

McVeigh shkaktoi vdekjen e 168 personave dhe plagosi më shumë se 500 të tjerë – duke vendosur një bombë jashtë një ndërtese administrative në Oklahoma City, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe pse raporti nuk specifikoi një objektiv të mundshëm, transmetuesi radiofonik RMF.fm sugjeroi se mund të ketë qenë një shkollë ose një tubim i madh publik, siç është pelegrinazhi ose parada e e komunitetit LGBT+.

EMISIONET