Arkeologët gjejnë në det kokën prej mermeri të Herkulit, me mjekër të madhe e fytyrë të veçantë

Një anije mallrash e epokës romake, e zbuluar rastësisht pranë ishullit grek të Antikythera më shumë se 120 vjet më parë dhe e konsideruar si anija e mbytur antike më e pasur në botë, ka nxjerrë akoma më shumë thesare në eksplorimet më të fundit të saj, duke përfshirë kokën e humbur të një statuje të gjysmëperëndisë greke Herkulit.
"Në vitin 1900, kërkuesit nxorrën statujën e Herkulit nga deti dhe tani me siguri kemi gjetur kokën e saj," tha Prof Lorenz Baumer, arkeologu klasik që po mbikëqyr misionin nënujor me Universitetin e Gjenevës.
"Është një copë mermeri mbreslënëse," tha ai, duke përshkruar karakteristikat që mbanin të gjitha shenjat dalluese të një prej figurave të mëdha heroike të mitologjisë greke dhe romake. “Është dyfishi i madhësisë reale, ka mjekër të madhe, fytyrë shumë të veçantë dhe flokë të shkurtër. Nuk ka dyshim se është Herkuli.”
Zbulimi i skulpturës, së bashku me bazamentin e një statuje tjetër prej mermeri, dhëmbët e njeriut dhe pjesë të pajisjeve të anijes, ishte bërë i mundur nga heqja e tre gurëve 8.5 tonësh që kishin mbuluar pjesërisht rrënojat në fund të detit.
Për tre javë ekipi hulumtues i arkeologëve detarë dhe zhytësve të trajnuar posaçërisht, duke punuar në thellësi 50 metra, pati akses në një zonë të pa eksploruar më parë.


