Anna Wintour jep dorëheqjen si kryeredaktore e “Vogue”

Pas gati katër dekadash si kryeredaktore e “American Vogue”, Anna Wintour po jep dorëheqjen dhe po kërkon një zëvendësuese, sipas CNN.
Wintour ia dha dje lajmin stafit. Edhe pse do të largohet nga roli kryesor i edicionit amerikan, ajo nuk po largohet plotësisht nga “Condé Nast” ose “Vogue”, por po i zvogëlon detyrat e saj.
Ajo do të mbetet drejtoreshë globale editoriale e “Vogue” si dhe drejtoreshë globale e përmbajtjes së “Condé Nast”.
Edhe pse revistat nuk duhet të gjykohen vetëm nga kopertinat e tyre, kopertinat e Wintour sinjalizuan se ajo nuk kishte frikë të vinte në qendër të vëmendjes figura më pak të njohura dhe të shmangte normat e titujve të modës së nivelit të lartë.
Numri i saj i parë, i botuar në nëntor 1988, ishte në ballë të revistës “Vogue”, ku ishte modelja izraelite Michaela Bercu, e veshur me një palë xhinse, hera e parë që xhinset shfaqeshin në kopertinën e revistës “Vogue”.
Kjo krijoi një trend për qindra numrat që pasuan dhe Wintour do të vazhdonte të merrte vendime të panumërta editoriale që paraardhësit e saj do t’i kishin konsideruar të paimagjinueshme.
Ikën gjithashtu edhe ditët e fotove të kontrolluara të fytyrës në studio. Në vend të tyre erdhën fotot e rastësishme, në natyrë apo të pjesëve së sipërme të trupit.
Në vitin 1992, ajo theu një traditë shekullore të “Vogue” duke paraqitur një burrë në kopertinë (Richard Gere, i cili u shfaq së bashku me Cindy Crawford, gruan e tij në atë kohë).
Edhe pse Wintour është më e lidhur ngushtë me “Vogue”, në vitin 2020, ajo u bë drejtoresha e përmbajtjes së “Condé Nast” duke mbikëqyrur të gjithë titujt e saj globalisht, përfshirë “Vanity Fair”, “Wired”, GQ, “Architectural Digest”, “Bon Appétit” dhe “Condé Nast Traveler”.

