"Ai minon misionin e DOGE"/ Musk i zhgënjyer nga projektligji i Trump për taksat dhe shpenzimet

Elon Musk ka dalë në kundërshtim me projektligjin e promovuar nga Donald Trump, i cili beson se paketa e uljes së taksave dhe shkurtimit të shpenzimeve do të rrisë deficitin buxhetor të SHBA-së dhe do të minojë përpjekjet e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE).
“Sinqerisht, u zhgënjeva kur pashë projektligjin e madh të shpenzimeve, i cili jo vetëm që rrit deficitin buxhetor, por edhe dëmton punën që po bën ekipi i DOGE. Unë besoj se një faturë mund të jetë e madhe ose mund të jetë e bukur, por nuk e di nëse mund të jenë të dyja," tha miliarderi në “CBS Sunday Morning”.
Javën e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi me një diferencë të ngushtë atë që Trump e quan projektligji i tij "i madh dhe i bukur", i cili përfshin lehtësime tatimore prej disa trilionë dollarësh dhe një premtim për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Tani projektligji do të shkojë në Senat.
Gjithashtu financimi shtesë do të vijë kryesisht nga rishikimi i programeve federale të shëndetit dhe të ushqyerjes dhe shkurtimet në programet e energjisë. Zyra e Buxhetit të Kongresit, jopartiake, vlerëson se projektligji do t’i shtojë deficitit edhe 3.8 trilionë dollarë.
Elon Musk i bëri komentet e tij pak para fluturimit provë të SpaceX. Në të njëjtën kohë, ai po tërhiqet nga punësimi me kohë të plotë në qeveri për tu përqendruar në kompanitë e tij, përfshirë SpaceX dhe Tesla, të cilat po përballen me vështirësi.
"Mendoj se ndoshta kam kaluar pak më shumë kohë me politikën, më pak sesa mendojnë njerëzit, sepse media i ekzagjeron çështjet politike, sepse çështjet politike të polemikave kanë shumë jehonë në media. Nuk është se i kam lënë kompanitë. Thjesht i kam kushtuar relativisht më shumë kohë qeverisë dhe e kam reduktuar ndjeshëm atë në javët e fundit," tha Musk kur u pyet nëse mendonte se përqendrimi i tij në politikë gjatë vitit të kaluar e kishte «dëmtuar» SpaceX.
Javën e kaluar, miliarderi tha se do të shpenzonte shumë më pak para për politikë në të ardhmen. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse deklaratat e tij sinjalizojnë ndonjë ndryshim në premtimin e tij për të ndarë 100 milionë dollarë për grupet politike të kontrolluara nga presidenti.
Sidoqoftë, Elon Musk vazhdon të mbrojë punën e DOGE në Uashington, duke thënë se grupi është bërë një "kokë turku". Sidoqoftë, edhe pas largimit të Elon Musk, Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë është gati të vazhdojë punën e tij, me stafin që mbetet në vend.
"DOGE është bërë kokë turku për gjithçka. Pra, nëse ndodh diçka e keqe diku, ata do të na fajësojnë ne për të, edhe nëse nuk kemi të bëjmë fare me të," tha Musk.

