AFGANËT PA INTERNET! Talebanët presin “linjat” fusin vendin në “blackout” komunikimi

Interneti ishte porta e fundit e afganëve drejt botës së jashtme në një vend tashmë të drejtuar nga talebanët. Por edhe kjo mundësi po mbyllet.
Të martën, shërbimet e internetit, telefonisë celulare dhe televizionit satelitor u ndërprenë në mbarë Afganistanin, vetëm pak javë pasi autoritetet nisën shkëputjen e linjave me fibër optike.
Qeveria talebane nuk ka dhënë asnjë arsye zyrtare për “blackout”-in, por që prej vitit 2021, kur erdhën në pushtet, ata kanë vendosur një sërë kufizimesh në përputhje me interpretimin e tyre të ligjit islamik të Sheriatit. Më herët, ndërprerjet e internetit janë justifikuar me “kontrollin e moralit publik” për të shmangur përmbajtjet e censuruara online.
Agjencitë ndërkombëtare raportojnë se kanë humbur kontaktet me zyrat e tyre në Kabul. Përveç internetit, janë raportuar probleme serioze me shërbimet telefonike, ndërsa pritet të preken edhe sistemet bankare. Sipas mediave vendase, edhe aeroporti ndërkombëtar i Kabulit është goditur, pasi të martën disa fluturime u anuluan.
Ndërprerja ka ndikuar rëndë në jetën e qytetarëve dhe bizneset. Të rinjtë, veçanërisht vajzat që tashmë përballen me ndalim të arsimit, kanë humbur edhe mundësinë e fundit për kurse online e punë virtuale. Edhe tregtia online dhe shërbimet financiare janë paralizuar.
Ekspertë dhe ish-zyrtarë afganë paralajmërojnë se vendi po izolohet gjithnjë e më shumë, duke rivalizuar Korenë e Veriut për shkëputjen nga bota. Ndërprerja pritet të zgjasë deri në një njoftim të dytë nga autoritetet talebane.


