Afganët: S’kemi ushqim, i drogojmë me ilaçe fëmijët tanë të uritur për t'i ndihmuar të flenë

Afganët po u japin fëmijëve të tyre të uritur ilaçe dhe drogë për t'i qetësuar - të tjerët kanë shitur vajzat dhe organet e tyre për të mbijetuar.
Në dimrin e dytë që kur talibanët morën pushtetin dhe fondet e huaja u ngrinë, miliona janë një hap larg urisë ekstreme.
"Fëmijët tanë vazhdojnë të qajnë dhe ata nuk flenë. Ne nuk kemi ushqim," tha Abdul Wahab. “Kështu që shkojmë në farmaci, marrim tableta dhe ua japim fëmijëve tanë që të ndihen të përgjumur”.
Ai jeton pak jashtë Heratit, qyteti i tretë më i madh i vendit, në një vendbanim me mijëra shtëpi të vogla balte që është rritur gjatë dekadave, të mbushura me njerëz të zhvendosur dhe të goditur nga lufta e fatkeqësitë natyrore.
Abdul është mes një grupi prej gati një duzinë burrash që u mblodhën rreth ekipit të BBC-së. Ekipi i pyeti se sa u jepnin drogë fëmijëve të tyre për t'i qetësuar? “Shumë prej nesh, të gjithë ne”, u përgjigjën ata.
Ata u japin zakonisht alprazolam - një qetësues që përshkruhet për të trajtuar çrregullimet e ankthit.
Të tjerë treguan shirita me tableta escitalopram dhe sertraline që thanë se po ua jepnin fëmijëve të tyre. Ato zakonisht përshkruhen për të trajtuar depresionin dhe ankthin.
Mjekët thonë se kur u jepen fëmijëve të vegjël që nuk marrin ushqimin e duhur, ilaçe të tilla mund të shkaktojnë dëmtim të mëlçisë, së bashku me një sërë problemesh të tjera si lodhja kronike, gjumi dhe çrregullime të sjelljes.

