A u vra lideri suprem i Iranit? Brahaj: Rrjeti “Telegram” po zien, por asgjë s’është zyrtare
Pas sulmeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, një valë spekulimesh dhe lajmesh të pakonfirmuara ka përfshirë rajonin, duke vënë në qendër të vëmendjes fatin e liderit suprem iranian, Ali Khamenei.
Ndonëse nuk ka asnjë raport të besueshëm zyrtar që konfirmon vdekjen e tij, rrjetet sociale, veçanërisht platforma Telegram e përdorur gjerësisht në Iran, ziejnë nga thashethemet se ai mund të jetë vrarë.
Gazetari Sokol Brahaj në një raportim nga Turqia për “Ora Neës” u shpreh se burimet tregojnë se Khamenei, së bashku me presidentin Pezeshkian dhe ministrin e Jashtëm, ishin në listën e shënjestrave të Izraelit.
Megjithatë, tha Brahaj, deri më tani, asnjë konfirmim zyrtar nuk ka ardhur nga Irani, Izraeli apo SHBA-ja. Teherani ka pranuar se ka pasur humbje të konsiderueshme, përfshirë vrasjen e një gjenerali të lartë të Gardës Revolucionare, por ka ruajtur heshtjen absolute për sa i përket fatit të liderit suprem.
Misteri thellohet më tej me raportimet për praninë e avionëve rusë të njohur si “avionët e Kiametit” në Teheran, çka ngre hipoteza se Khamenei mund të jetë zhvendosur në një lokacion tjetër të sigurt brenda Iranit, apo edhe jashtë vendit, si për shembull në Rusi.
Ndërkohë, reagimet nga fuqitë rajonale nuk kanë vonuar. Turqia ka qenë ndër të parat që ka bërë një deklaratë zyrtare përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në një thirrje për mospërshkallëzim, ministri Hakan Fidan u ka kërkuar palëve të "ulen në tavolinën e bisedimeve", duke shprehur shqetësimin se konflikti mund të përfshijë të gjithë rajonin në një luftë afatgjatë.
Ankaraja zyrtare është ofruar si ndërmjetëse për të arritur paqen. Paralelisht, Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës turke ka këshilluar qytetarët të mos bien pre e dezinformatave në mediat sociale dhe t'u referohen vetëm burimeve zyrtare.
Situata mbetet e paqartë dhe e tensionuar. Bota mban frymën ndërsa pret një prononcim zyrtar që do të hidhte dritë mbi fatin e Ali Khameneit dhe drejtimin që do të marrë konflikti, i cili rrezikon të destabilizojë të gjithë Lindjen e Mesme.


