A mund të heqë dorë bota nga qymyri?

A mund të heqë dorë bota nga qymyri?

Ndërsa udhëheqës botërorë, studiues, aktivistë dhe lobistë takohen në Brazil për konferencën e 30-të të OKB-së për klimën, ka shumë zhgënjim sepse bota nuk po ecën mjaftueshëm shpejt në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Në mbarë botën, emetimet e gazeve serrë dhe temperaturat globale vazhdojnë të rriten.

Në SHBA, administrata Trump, e cila nuk dërgoi delegacion zyrtar në këtë samit, po zhbën rregullat mjedisore dhe po i shtyn vendet e tjera të përdorin më shumë lëndë djegëse fosile, burimi kryesor i ngrohjes globale.

Përdorimi i qymyrit po rritet, sidomos në Indi dhe Kinë. Në të njëjtën kohë, debatet vazhdojnë për drejtësinë sociale dhe të ardhmen e komuniteteve që varen nga qymyri, ndërsa termocentralet dhe minierat mbyllen.

Megjithatë, pas lajmeve të këqija fshihen zhvillime komplekse, kontradiktore, madje edhe shpresëdhënëse.

Qymyri është lënda djegëse më e ndotur dhe një nga burimet kryesore të emetimeve të gazeve serrë. Kjo e bën atë një objektiv të rëndësishëm për uljen e ndotjes globale.

Rënia e përdorimit të qymyrit ka qenë arsyeja kryesore pse emetimet në SHBA ranë vitet e fundit, falë gazit natyror dhe energjive të rinovueshme që u bënë më të lira.

Sot, gati një e treta e vendeve në botë kanë premtuar t'i mbyllin termocentralet me qymyr gjatë viteve të ardhshme.

Në mesin e tyre janë vende që nuk i prisje të ishin të gatshme ta bënin këtë, si Gjermania, Spanja, Malajzia dhe Republika Çeke. Më shumë se 60 vende janë bashkuar në aleancën "Powering Past Coal" dhe kanë vendosur afate mes 2025 dhe 2040.

Shumë vende në Bashkimin Europian dhe Amerikën Latine tani janë udhëheqëse në fazën e largimit nga qymyri, dhe emetimet e BE-së vazhdojnë të bien.

Gjendja globale është e përzier. Nga njëra anë, rritja e energjive të rinovueshme, baterive, makinave elektrike dhe efikasitetit energjetik është shpresëdhënëse.

Në vitin 2024, mbi 90% e kapacitetit të ri energjetik të instaluar në botë vinte nga energjia e pastër.

Por kërkesa për energji po rritet aq shpejt sa energjia e re e pastër nuk e zëvendëson gjithmonë atë që vjen nga qymyri.

Kina djeg më shumë qymyr se e gjithë bota e marrë së bashku dhe vazhdon të ndërtojë termocentrale të reja me qymyr.

Por në të njëjtën kohë, ajo është vendi kryesor në botë për investime në energjinë diellore dhe atë me erë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, dhe ka interes të fortë ekonomik që energjia e pastër të përhapet.

Ndërsa disa vende, si SHBA-të dhe disa demokraci europiane, po rrëzojnë politikat klimatike për arsye politike, shumë vende të tjera po vazhdojnë të zbatojnë ligje dhe programe për të ulur ndotjen dhe për të shtuar energjinë e pastër.

Megjithatë, eliminimi i qymyrit nuk po ndodh aq shpejt sa kërkohet.

Për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit (1.5°C–2°C), bota duhet të ulë shpejt pothuajse të gjitha djegiet e lëndëve fosile. Dhe aktualisht, nuk jemi afër këtij objektivi.

Një tranzicion i drejtë për komunitetet që varen nga qymyri

Shumë vende që kanë miniera qymyri shqetësohen për të ardhmen e punëtorëve dhe komuniteteve që varen nga ky sektor.

Askush nuk dëshiron përsëritjen e asaj që ndodhi në Britani në vitet 1980, kur minierat u mbyllën me shpejtësi dhe shumë zona minerare mbetën në varfëri për dekada.

Por shumë vende që po heqin dorë nga qymyri po tregojnë se ekziston një mënyrë më e drejtë për të bërë këtë ndryshim.

Studimet tregojnë se planifikimi i kujdesshëm, modernizimi i rrjetit elektrik, skemat e financimit, rikualifikimi i punëtorëve dhe mbështetja për bizneset e vogla dhe pensionet e minatorëve mund t'i ndihmojnë komunitetet të kalojnë drejt një ekonomie më të qëndrueshme.

Bota tashmë ka teknologjitë e nevojshme të energjisë së rinovueshme për të zëvendësuar qymyrin.

Këto energji janë më të lira, më të pastra dhe më të sigurta për shëndetin e njerëzve sesa minierat dhe djegia e qymyrit.

Sfida ende ka, por zgjidhjet janë të qarta: heqja e pengesave politike dhe ligjore për të ndërtuar energji të pastër, rritja e prodhimit të pajisjeve për energji të rinovueshme dhe ndihma për vendet e varfra që të përballojnë kostot fillestare përmes financimeve më të përballueshme.

A mund ta braktisë bota qymyrin?

Po, mendoj se mundemi. Ose siç thonë brazilianët: "Sim, nós podemos."

EMISIONET