“Viktima” të HIV, mbi 1500 fëmijë në Pakistan infektohen nga ripërdorimi i gjilpërave

Mbi 1500 foshnja dhe fëmijë në Pakistan janë viktima të infektimit me Hiv Aids për shkak të një skandali të ripërdorimit të gjilpërave. Pasojat po i vuajnë familjet e prekura, të cilat mes mbijetesës dhe varfërisë e kanë të pamundur të përballojnë kostot e trajtimeve dhe mjekimit.
Më shumë se 1500 fëmijë në Pakistan, mes tyre edhe qindra foshnja, rezultojnë pozitivë me sëmundjen e shekullit, Hiv-Aids, sipas të dhënave zyrtare nga ministria e Shëndetësisë.
Ishte një mjek sinjalizues që zbuloi skandalin në vitin 2019, në provincën jugore të Sindh, ku evidentoi se fëmijët ishin infektuar nga ri-përdorimi i gjilpërave.
Familjet e prekura, që jetojnë mes varfërisë, shpesh janë të detyruar të zgjedhin midis ushqimit dhe ilaçeve.
"Ata na thonë të shkojmë për analiza të mëtejshme në spitalet private, por ne nuk kemi para të mjaftueshme," shprehet Shahzado Shar, babai i 5-vjeçarit që vazhdon të vuajë nga ethe të rregullta, dhimbje barku dhe veshkash.
Hakima Shar thotë se ajo ndonjëherë harron t’i japë ilaçet fëmijës katër vjecar, i cili shpesh refuzon t'i marrë ato.
"Ne jemi shumë të varfër ... Unë zgjohem me diellin dhe filloj të punoj, kështu që kush tjetër do t'i japë asaj ilaçet rregullisht?" tha nëna 25-vjeçare, e cila gjithashtu ka marrë virusin.
Rreth 30 fëmijë të tjerë janë gjithashtu HIV pozitivë në fshatin e vogël Subhani Shar, vetëm disa kilometra nga Rato Dero.
Ndërkohë, të paktën 50 fëmijë kanë vdekur që kur u diagnostikuan, tha specialistja e pediatrisë Fatima Mir.
Kontrolli i dobët i infeksionit është i përhapur në të gjithë Pakistanin e varfër, ku mjekët shpesh ri-përdorin pajisjet për të ulur kostot - nga nevoja ose lakmia. Mjeku që ekspozoi për herë të parë skandalin thotë se shumë pak ka ndryshuar që nga viti 2019.
"Situata është po aq e rëndë sa në kohën e shpërthimit," tha mjeku Imran Akbar Arbani, i cili e quajti mungesën e trajtimit mjekësor në vend "të pamëshirshëm".
Autoritetet fajësuan një mjek të vetëm - një specialist të njohur për fëmijë në Rato Dero - si shkaktar të skandalit.
Por Muzaffar Ghangro ka mohuar akuzat dhe vazhdon të gjykohet në liri me kusht.


