Miratimi i listave të hapura do të kërkojë patjetër ndryshime në kodin zgjedhor. Nënkryetar i KQZ aktuale Denar Biba në një intervistë për Ora News thotë se ndryshimet kushtetuese nuk pengon koalicionet por kurrësesi ato nuk mund të jenë në formulën aktuale dhe se do të duhet të garojnë në një listë të përbashkët.

Biba: Nëse shkohet drejt listave të hapura nuk përputhen me koalicionet me mënyrën sesi funksionojnë sot. Nëse çdo parti do të vinte me listën e vet të hapur atëherë nuk do të kishim zgjedhje, fleta e votimit do të ishte kilometrike. Në zgjedhjet tona hyjnë rreth 60 parti me nga 140 deputetë, fleta e votimit do të ishte si një libër. Praktikisht do të ishte e pamundur.Nëse mazhoranca po shkon drejt listave të hapura, të ciat i japin qytetarëve mundësinë  që përveç forcës politike të zgjedhin edhe kandidatin e dëshiruar dhe kjo është kërkuar nga shoqëria civile,  patjetër nuk mund të kemi koalicione siç janë sot. Koalicionet nuk pengohen, mjafton që të dalë me një listë të veten. Do të ketë patjetër ndryshime në kodin zgjedhor që do të reflektojnë dhe listat e hapura.

E ndërsa opozita po akuzon mazhorancën për ndryshime të njëanshme, në fund duket se do të vendosë forca e kartonit.

Biba: E udhës është të ketë një gjithëpërfshirje për çështje të kësaj rëndësie por është vendimarrja e mazhorancës përsa kohë ka marrë votën. Nëse numrat janë me deputetë që janë aty të anatemuar apo jo mesa duket do të ndodhë dhe do të kemi lista të hapura.

Vetë ai personalisht thotë se preferon sistemin mazhoritar.

Biba: Për mua është sistemi më i thjeshtë dhe më i ndershëm.Natyrisht ka problematikat e veta, nuk ka sistem perfekt.

Sa i takon identifikimit biometrik, Biba thotë se humbet shumë kohë por nënvizon se realizimi është i mundshëm nëse ecet me hapa të përshpejtuar.

Biba: Kjo kërkon dhe procedura prokurimi. Ligji shqiptar njeh edhe procedura të përshpejtuara dhe tani janë të pashmangshme me kohën që ikën. KQZ-së së ardhshëm do ti mbetet që në momentin e parë që të konstituohet të nisë procedurat emergjente. Mendoj se mund të realizohet. Nëse Komisioni konsituohet në tetor, procedurat nisin menjëherë, edhe buxheti i shtetit duhet të shprehë vullnetin për fondin, mund të realizohet.

Mundësimin e votës së emigrantëve i është lënë detyrë KQZ-së për ta realizuar, por Biba thotë se është skeptik që kjo do të ndodhë në zgjedhjet e 2021.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana