Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi firmosën këtë të hënë marrëveshjen  për zgjedhjet e 25 prillit. Dokumenti me 13 pika parashikon rimëkëmbje ekonomike, goditje të oligarkëve, përmbushje të kushteve për hapjen e negociatave si dhe qeverisje me shtet ligjor.

Për herë të parë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim hyjnë bashkë në zgjedhje parlamentare.

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, drejtuesit aktualë të dy forcave politike, zgjodhën 1 marsin për të firmosur publikisht paktin.

Kanë lënë me kohë pas të shkuarën turbulente Meta-Berisha të 1 prillit 2013 kur Presidenti, atëherë kryetar i LSI, la PD-në dhe firmosi me kundërshtarin e tanishëm Edi Rama.  

Lideri  i demokratëve foli për një pranverë të begatë ndryshimi, ndërsa Kryemadhi  u zotua se divergjencat mes socialdemokracisë dhe të djathtës nuk do i ndajnë këto dy parti.

Marrëveshja me 13 pika parashikon që dy partitë në rast të qeverisjes të transformojnë ekonominë, të angazhohen për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe po ashtu ti japin shans të rinjve këtu për të ndaluar eksodin jashtë vendit. Në dokument flitet edhe për goditjen e oligarkëve.

Sipas marrëveshjes do të konkurohet me dy lista (PD- AN + LSI) për të realizuar një përfaqësim sa më të plotë dhe sa më gjithëpërfshirës politiko –elektoral dhe kurorëzimin e fitores së opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit.

“Përballimi dhe zgjidhja e problemeve kritike të vendit do të jenë objektivat themelore të programit elektoral”.

Marrëveshja parashikon që përfaqësimi në të gjitha nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor.

PD e LSI kanë garuar bashkë në zgjedhje në një proces elektoral lokal, atë të vitit 2011, ndërsa dy partite kanë qeverisur në mandatin e dytë të qeverisë Berisha, nga 2009 deri në vitin 2013.

Monika Kryemadhi e Lulzim Basha pas firmosjes se marreveshjes per 5 prillin


Çfarë parasheh marrëveshja me 13 pika mes LSI dhe PD me aleatët

Opozita e Bashkuar do të jetë unanime në angazhimin e tyre në qeverisje për t’i dhënë përgjigje dhe zgjidhje të mënjëhershme për sa më poshtë vijon:

1.Nxjerrjen e vendit nga kriza shumë e rëndë ekonomike e shkaktuar nga qeverisja klienteliste dhe bashkëpunëtore e oligarkisë dhe e krimit. Rikthimi i ekonomisë në funksion të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, duke i dhënë fund grabitjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, përmes konçesioneve, oligarkëve, korrupsionit me paratë publike, që ka pushtuar çdo nivel të qeverisjes. Ky transformim ekonomik do të realizohet me një program të qartë dhe të diskutuar gjerësisht me qytetarët dhe grupet e interesit.

2.Përmbushjen e të gjitha kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe dhënien fund të çdo pengese të krijuar nga qeverisja aktuale për këtë proces jetik për të gjithë shqiptarët si dhe për mobilizimin e të gjithë faktorëve politikë dhe të shoqërisë civile për realizimin e këtij objektivi.

3.Rivendosja e shtetit të së drejtës dhe e sundimit të ligjit,  çlirimin e shtetit nga kapja, rikthimin e llogaridhënies, duke i dhënë fund abuzimit dhe shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve, pandëshkueshmërisë së zyrtarëve publikë dhe fenomeneve shkatërruese si korrupsioni dhe uzurpimi i pushtetit për përfitime dhe interesa vetjake.

4.Ndërtimin e një aksioni qeveritar intensiv për të frenuar shpopullimin masiv.

5.Prioritarizimin e krijimit të punësimit të mirëpaguar, si rruga kryesore për të përmirësuar jetën e shqiptarëve.

6.Realizimin e një programi qeverisës me prioritet rininë, për një arsimim cilësor dhe mundësi të gjera punësimi të saj, për të eleminuar tragjedinë e shpopullimit dhe largimit masiv të të rinjve dhe për integrimin e mëtejshëm në drejtim, në politikëbërje dhe në shoqëri.

7.Për të garantuar mundësi të barabarta për përfaqësimin e gruas në vendimmarrje, për emancipimin dhe fuqizimin e saj në shoqëri dhe politikëbërje.

8.Për të realizuar një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafiqeve të çdo lloji dhe pastrimit të parave të pista, si shkaqe penguese kryesore për zhvillimin e vendit dhe sigurinë publike të qytetarëve.

9.Për të zgjidhur në mënyrë prioritare problemin e rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe të shkatërruara nga tërmetet. Për një proçes shumë të shpejtë, jokorruptiv e selektiv dhe me garanci juridike për pronën e tyre, që u mundëson qytetarëve të kenë në kohën më të shpejtë të mundshme njësitë e banimit apo të shërbimit.

10.Për t’i dhënë fund problemit kritik të pandemisë COVID-19, duke zbatuar një plan shëndetësor-social, i cili i jep përgjigje kufizimit të përhapjes, realizimin e testimeve, gjurmimeve dhe trajtimeve mjekësore, rimbursimin e shpenzimeve për pacientët, që trajtohen në banesë, vaksinimin e gjerë të popullatës larg trajtimit diskriminues. Për të realizuar planin e rimëkëmbjes së ekonomisë dhe mbështetjes së qytetarëve dhe biznesit të prekur nga pandemia.

11.Për zhvillimin real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit.

12.Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për t’i dhënë fund dëmtimit, tjetërsimit dhe asgjësimit të saj.

13.Për garantimin e rikthimit të pronave për komunitetet fetare në vendin tonë.

LEXO EDHE

“Shqipëria, shtëpia që fiton”, Basha dhe Kryemadhi: Pranvera e re po vjen, 25 prilli dita e ndryshimit

Kryemadhi: Zotohemi se do të gjejmë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit

Pas firmosjes së marrëveshjes, Kryemadhi tha se sot është një ditë historike për të dy partitë por edhe një sinjal i qartë për qytetarët se ndryshimi po vjen.

Kryemadhi: Sot është ditë historike për LSI dhe PD, por më e rëndësishme do të ishte për të gjithë shqiptarët sepse bashkimi dhe konsolidimi i një koalicioni përfundimtar përballë një sekti kriminal në 25 prill do të jetë i domosdoshëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Sot LSI dhe PD janë bërë bashkë si një aleancë kundër dështimeve të qeverisë Rama dhe sot në një ditë që ne dakordësohemi formalisht për të bashkuar forcat dhe të punojmë me njëri-tjetrin në shërbim të popullit shqiptar. Parneriteti ynë dërgon një sinjal të fortë dhe të qartë për të gjithë shqiptarët se ndryshimi po vjen.

Ndryshimi është i paevitueshëm dhe ditë më të mirë ka për shqiptarët kudon që jetojnë.

Kryemadhi e pati një përgjigje edhe për skeptikët e aleancës PD-LSI.

Kryemadhi: E di që do të ketë shumë prej atyre që mendojnë se LSI rritet nga elektorati i të majtës por një parti si ne, LSI, që në thelb ka social-demokracinë dhe bashkë me PD që është parti e djathtë, dua të adresoj këtë gjë. Ne si LSI dhe PD do të vijojmë të jemi dy entitete me identitetin e tyre, në kohëra mund të kemi dhe kundërshtime për politika të caktuara, por zotohemi se do të gjejmë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit dhe punojmë fort me njëri-tjetrin duke vendosur gjithmnonë përpara interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Së dyti jemi absolutisht të unifikuar me besimin se vendi është sot më keq seç ka qenë 4 vite më parë apo 8 vite më parë. Pothuajse të gjithë shqiptarët përveç atyre që kanë lidhje të ngushta me qeverinë, të cilët janë më mirë se 99% e shqiptarëve. Ne dhe PD jemi të unifikuar në besimin se vendi po shkon drejt drejtimit të gabuar dhe se duhet të bëjmë më shumë për të lëvizur  Shqipërinë dhe shqiptarët atje ku duan të jenë, në BE.Të keni një jetë më të sigurt, një kosto jetese më të ulët, një standard jetese më të mirë, një arsimim më të mirë për fëmijët, një sistem shëndetësor më të mirë dhe mbi të gjitha ta konsiderojnë Shqipërinë si shtëpinë e tyre.

Kryemadhi tha se partneriteti me PD-në, do ti lejojë LSI-së të ndjekë axhendën e saj politike.

Kryemadhi: Në veçanti ne si LSI do të punojmë për implementimin e 5 prioriteteve tona në 5 muajt e parë për të ulur koston e jetesës për shqiptarët, për të krijuar punësim të mirëpaguar për ta. Dua të garantoj se ky është një partnership i ndërtuar për të zgjatur jo vetëm gjatë fushatës elektorale por edhe në qeverisjen e re të LSI me PD dhe zotin Basha duke drejtuar të gjithë frontin opozitar në zgjedhjet e 25 prillit. Do të punojmë krah për krah të gjithë sëbashku në çdo qytet, qark, çdo shtëpi dhe rrugicë.

Referendumi i 25 prillit është mision kombëtar për ti dhënë fund njëherë e përgjithmonë çdo sekti i cili kërkon të marrë peng të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot më shumë se kurrë bashkimi i LSI me PD dhe aletatët e saj është sinjal më i fortë në ditën e parë të muajit mars për të filluar një pranverë të re,  pranverën e zhvillimit dhe emancipimit dhe për ti dhënë forcë votës së shqiptarëve.

Basha: Koha të bashkohemi! Rrugëtimi për të ndryshuar Shqipërinë nis sot

Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se ka ardhur çasti që të bashkohen të gjithë për një të ardhme më të mirë për vendin.

Basha:Të dashur bashkëkombës, sot nis me një hap para, Udhëtimi ynë i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot, koalicioni ynë. Ndaj gjatë javëve të fundit të Shqipërisë, në çdo drejtim me ane të të cilit fiton Shqipëria. Gjatë javëve të fundit kam prezantuar planet tona të punës në të gjitha drejtimet. Për ekonominë, arsimin, turizmin, shëndetësinë, dhe luftën dhe krimin e organizuar. Me këtë ndryshim fillon ndryshimi, fiton Shqipëria. Këto janë plane pune që do të ndryshojnë jetën e gjithsecilit prej jush. Ka ardhur çasti që të bashkohemi. Të shkojmë shtëpi më shtëpi, rrugë me rrugë dhe të garantojmë fitoren e 25 prillit, fitoren e zgjedhjeve.

Të mërkurën, Basha firmosi me aleatët

Të mërkurën e javës së lamë pas u finalizua marrëveshja për koalicion parazgjedhor me 13 parti aleate.

Gjithashtu, Basha dhe aleatët e tij duhet të mendojnë edhe për listat e kandidatëve.

Ata kanë afat deri të hënën e ardhshme për të zgjedhur emrat që do ti përfaqësojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Të dielën, Basha mblodhi në selinë blu drejtuesit politik të 12 qarqeve të vendit. 

Burime për Ora News bënë me dije se Basha u ka kërkuar drejtuesve politikë të intensifikojnë takimet për të identifikuar votuesit e mundshëm, për të dëgjuar problemet e tyre, por edhe për të shpalosur sa më qartë programin politik të demokratëve.

Leter Marreveshje Print by Ora News Lajme on Scribd