Veliaj: Qyteti ka nevojë të pastrohet edhe pas 30 qershorit, Ademi: Po asfiksohet pushteti vendor
Pavarësisht krizës politike që ka përfshirë vendin, kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili do të rikandidojë për Tiranën ka garantuar se zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor.
Duke folur në konferencën për financat vjetor ai u shpreh se në këtë mënyrë, qytetarëve do tu sigurohen shërbimet.
Veliaj: Shpresoj shumë që në 30 qershor të kemi alternativa konkrete se si mund t’i bëjmë qytetet tona më të mira. Le të mos i ngatërrojmë dramat e disa politikanëve me nevojat që ka qyteti për t’u pastruar çdo ditë, që të hapen çerdhet, kopshtet dhe shkollat, që qyteti të çelë sezonin turistik. Ne nuk mund të themi që për hir të partisë nuk do të pastrojmë Tiranën nesër.
E pranishme në takim kryetarja demkrate e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi akuzoi qeverinë se po asfikson pushtetin vendor me pezullimin e tenderave.
Ademi: Kam një sugjerim që duhet të shënohen edhe kufizimet që të gjitha bashkitë kanë pasur gjatë zbatimit. Asfiksia vjen në saj të ndërhyrjeve shpesh herë arbitrare në nivel ministrash apo këshilli ministrash, të parregullt dhe janë antikushtetuese.
Gjatë kësaj konference u prezantua edhe raporti zyrtar mbi analizën e tendencave dhe performancës së financave publike vendore për 2018, qëllimi i të cilit është të ofrojë një përmbledhje të reformave të ndërmarra vitet e fundit në fushën e decentralizimit fiskal.
