Tirane: Polici qëllon të shumëkërkuarin, Orges Bilbili plagos gabimisht dhe një qytetare

Tirane: Polici qëllon të shumëkërkuarin, Orges Bilbili

Një person i shumëkërkuar u qëllua me armë nga një efektiv i forcave "Shqiponja" pasi tentoi të largohej duke refuzuar ti ndalonte efektivit dhe e kërcënoi me armë këtë të fundit. 

Ngjarja u shënua sot në mesditë (10 prill) në rrugën " Sitki Çiço", në afërsi të një shkolle, në zonën e njohur si Xhamlliku në Tiranë. Gjatë këtij aksioni ka mbetur e plagosur dhe një kalimtare, 30 vjeçe.

Bëhet fjalë për Orges Bilbilin, (shiko foton) i cili së bashku me Laert Haxhinë akuzohen se janë autorët e vrasjes së Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës në 2017 në Lushnje. Djaloshi nga Lushnja ishte në kërkim dhe për plagosjen Xhulio Shkurtit dhe Sajmo Xhelilit. 

Ora News siguroi momentin kur policia mbërriti në vendngjarje për të marrë të plagosurin dhe për ta dërguar në spital. Polici e kishte ndaluar për ti kërkuar lejen e daljes.  Bilbili është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tirane dhe paraprakisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 

 

Policia: Bilbili tentoi te vriste policin - Ne oren 13:44 policia e Tiranes doli me një deklarate lidhur me ngjarjen. Efektivi ndodhej atje në vijim të monitorimit të zbatimit të masave shtesë nga qytetarët, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.  Punonjësi i Policisë së forcës së posaçme "Shqiponjat", i ka kërkuar Bilbilit lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit por Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes.

"Shtetasi Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes. Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë. Punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Orgest Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë. Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar,  ndërkohë që 30-vjeçari  i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë. Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar  në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë." informon policia e Tiranes

Plagoset dhe kalimtarja- Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit.

Drejtori i policise tregon ngjarjen- Drejtori i policisë së Tiranës, Rebani Jaupi shkoi në vendngjarje dhe ne nje prononcim për median tregoi se çfarë kishte ndodhur: "I ka kërkuar dhe se çfarë kishte në çantë. Qytetari është larguar me vrap. Punonjësi i policisë e ka ndjekur nga prapa dhe në kthesën e parë i ka drejtuar armën. Punonjësi i policisë e ka paralajmëruar të ulë armën dhe ka qëlluar një herë në ajër. Qytetari ka lëvizur me vrap dhe në kohën që polici e paralajmëroi që të ulë armën e të dorëzohet ai i ka drejtuar armën dhe i ka thënë do të të qëlloj nëse nuk largohesh.

Policia ka qëlluar në drejtim të tij, dhe e ka plagosur. Aktualisht ndodhet në spital, dhe mendohet se është plagosur në këmbë, por akoma nuk kemi të dhëna të sakta. Rastësisht ka qenë një qytetare e cila është plagosur nga plumbi i policit. Nuk e kemi identifikuar akoma këtë qytetar por dyshimet e para bien që kemi të bëjmë me një person shumë të rrezikshëm i shpallur në kërkim por do e bëjmë publik sapo të marrim gjurmët e të saktësojmë identitetin e tij."

Kush eshte Orgest Bilbili? Nga verifikimet e bëra rezulton se shtetasi Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës. Gjithashtu  i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”.

Deshmia e policit që kreu aksionin-  Polici ka deklaruar se nuk e ka njohur të riun. Bilbili lëvizte me bluze me kapuç dhe për këtë arsye efektivi ka dyshuar dhe i ka kërkuar të ndalojë pastaj i ka kërkuar dhe të tregonte çfarë mbante në çantë. Ai nuk mbante me vete dokumenta identifikimi, dhe zbulimi i identitetit të tij policia thotë se e ka bërë nëpërmjet shenjave të gishtave. 

Nisin hetimet- Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes.

Policia e Shtetit i uron shërim të shpejtë shtetases M. P. dhe garanton opinion publik se është e vendosur të përballet me cilindo që shkel ligjin e aq më tepër guxon të godasë punonjësit e Policisë.

EMISIONET