Lezhë, vritet kryeplaku i fshatit, nuk i dha barin e korrur mikut të tij
Një vrasje me armë zjarri tronditi Lezhën mëngjesin e së mërkurës. Ngjarja ndodhi rreth orës 8:00 , në fshatin Mërqi ku viktimë mbeti shtetasi Gjin Marku 64-vjeç i cili ishte kryeplak i fshatit.
Ai është qëlluar me breshëri automatiku teksa po mblidhte barin në një parcele pranë banesës së tij.
Nga të shtënat 64-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes bëri të ditur se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin Tonin Ndojë nga Kashnjeti me banim në fshatin Mërqi dhe ishte dhëndër i familjes së viktimës.
Krimi për barin e korrur
Nga hetimet paraprake të policisë thuhet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes viktimës dhe autorit. Ky i fundit i kishte kërkuar mikut të tij që ti jepte barin që kishte korrur, por kjo nuk është pranuar nga viktima. Në momentin kur ka parë 64-vjeçarin që po mblidhte barin dhe po e ngarkonte në kamionçinën e tij, autori ka marrë armen dhe ka qëlluar në drejtim të mikut të tij duke e lënë të vdekur në vend.
Arrestohet autori
Disa orë pas krimit policia njoftoi arrestimin e autorit.
"Policia e Lezhës menjëherë pas marrjes së njoftimit vijoi kontrollet e pandërprera për lokalizimin dhe kapjen e autorit ku falë edhe bashkëpunimit me familjarët e autorit të dyshuar, në këto momente është bërë arrestimi i shtetasit T. N., 50 vjeç, banues në Lezhë, si autor i dyshuar i vrasjes së 65 vjeçarit pas një konflikti për motive të dobëta. Gjithashtu u sekuestrua arma tip "Kallashnikov", me të cilën dyshohet se ka kryer krimin" informon policia e Lezhës.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Lezhë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasje me paramendim" dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 78 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Në lidhje me ngjarjen policia shoqëroi 3 persona të cilët po mblidhnin barin me viktimën dhe po merren në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gëzhojat e armës të gjetura në vendin e ngjarjes.

(Në foto: arma e krimit)
