Atentat me dy të vdekur në Durrës, viktimat u qëlluan nga një mjet në lëvizje
Dy persona kanë mbetur të vrarë në një atentat me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e sotme, rreth orës 18:55 në qytetin e Durrësit.
Ngjarja është shënuar në lagjen nr 14 të këtij qyteti, në rrugën afër tregut të perimeve.
Viktimat janë identifikuar me emrin Dori Shkoza, 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia dhe dyshohet se janë vrarë me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbrritur forca të shumta policie, si dhe grupi hetimor.
"Paraprakisht dyshohet se është qëlluar nga një automjet në lëvizje. Shërbimet e Policisë kanë mundur të identifikojnë targat dhe janë vënë në ndjekje të autorëve" informoi policia e Durrësit.
35-vjeçari Shkoza mësohet se ishte nga Shijaku dhe prind i dy fëmijëve. Policia ka shoqëruar disa persona për marrjen në pyetje dhe vrasjes së dyfishtë.
Flasin banorët- Ndërkohë banorë të lagjes 14 në Durrës ku ndodhi vrasja e dyfishtë shprehen të tronditur nga ngjarja. Ato thonë se nuk dëgjuan të shtënat por vetëm zhurmë.
"Nuk dëgjuam të shtëna. Është ngjarje e rëndë. Jemi të trembur. Familjen e kanë në Durrës më duket. Ai që vdiq në spital sapo kishte ardhur nga Anglia. Kishte punën e vet te servisi. Thjesht dëgjuam zhurmën dhe dolëm jashtë. Ishte një Benz i zi. U tha disa çunave që të largohet nga ty."
Gjendet një mjet i djegur - Një makinë tip "Benz" është gjetur e djegur te Bishti i Zhurit në Rrogozhinë. Nga verifikimet rezulton se targat e makinës janë të vjedhura. Dyshohet se mjeti u përket autorëve të atentatit, por nga policia ende nuk është konfirmuar një gjë e tillë.
Viktimat dhe atentatorët debatuan- Gazetari i Ora News në Durrës Mark Brunga raporton se mes viktimave dhe atentatorëve ka pasur një debat përpara se të kishte shkëmbim zjarri.
"Dy të rinj të moshës 35 dhe 34 vjeç rreth orës 19:00 janë qëlluar me armë zjarri automatik dhe janë lënë të vrarë në vend. Njëri kishte një servis aty në lagje, ishte një prind me dy fëmijë.Viktimat ka mundësi të kenë qenë të njohur. Anxhelo Avdia sapo ishte kthyer nga Londra ndërsa Dori Shkoza kishte biznesin aty përballë dhe kanë qenë duke biseduar. Makina ka ndaluar dhe mësohet se kanë shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin dhe viktimat u kanë thënë të largohet nga rruga. Menjëherë ata janë përgjigjur me të shtëna dhe janë larguar me shpejtësi. Janë shoqëruar mbi 12 persona në vendngjarje për tu marrë në pyetje"raportoi gazetari.
Pika kontrolli- Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona në një perimetër të gjerë.
Pika kontrolli janë ngritur edhe nga DVP Tiranë e Fier në aksin rrugor Durrës-Tiranë e Durrës-Lushnjë.
Në mbështetje të Policisë vendore janë nisur dhe grupe të FNSH-së së Tiranës, për krehjen e zonës.
Për zbardhjen e ngjarjes, në ndihmë të grupit hetimor po shkojnë specialistët e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje, duke grumbulluar dhe fiksuar çdo provë sado të vlefshme që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes.
