Të bllokuar në Shqipëri: Argjentinasit ofrojnë argëtim në rrugë për të siguruar bukën e gojës
Krahas emigrantëve që kanë mbetur rrugëve të Evropës, edhe në Shqipëri ka shtetas të huaj të cilët janë bllokuar nga situata e krijuar nga COVID-19. Rast konkret janë këta 3 shtetas nga Argjentina, të cilët pa të ardhura dhe pa mbështetje kanë mbetur në Tiranë. Ata ofrojnë ushtrime argëtuese për shoferët në këmbim të ndonjë pagese modeste.
Pavarësisht situatës së vështirë të shkaktuar nga koronavirusi, këta 3 persona i shikon pothuajse çdo ditë në rrugët e kryeqytetit, duke ofruar ushtrime argëtuese për qytetarët, në këmbim të pagesave modeste.
Ata janë nga Argjentina dhe situata e krijuar nga COVID-19 i ka gjetur në Tiranë, pa një vend ku të qëndrojnë dhe pa të ardhura të qëndrueshme. Ata detyrohen të përshkojnë rrugët e kryeqytetit për të fituar ndonjë të ardhur, të cilat janë reduktuar ndjeshëm për shkak të kufizimit të qarkullimit dhe lëvizjes së qytetarëve.
"Kemi mbetur trokë, situata e krijuar nga koronaviurisi na gjeti në Tiranë. Nuk kemi ku të shkojmë vetëm rrugëve. Ofrojmë argëtim rrugëve për të na ndihmuar."
Ata shprehen të shqetësuar teksa komunikon me ta, pasi ashtu si edhe gjithë shqiptarët duhet të nxitojnë për të bërë blerjet e nevojshme në market para orës 13 dhe për ti mos evidentuar policia pasi detyrohen të dalin pa leje.
Të gjendur në një situatë të tillë ata kërkojnë të kthehen në vendlindjen e tyre, por mbyllja e kufijve e ka bërë këtë të pamundur.
Situata bëhet edhe më e vështirë për 3 shtetasit argjentinas, pasi në Shqipëri nuk ka seli diplomatike, që mund ti ndihmonte për tu rikthyer në atdhe.
