Auron Tare: Nuk bëhet turizmi për patriotizëm dhe as me ndonjë çarter që vjen nga Bjellorusia
Sektori i turizmit shqiptar do të fokusohet këtë vit më shumë tek ai patriotik, pasi shumë pushues të huaj kanë anuluar udhëtimet drejt vendit tonë.
I ftuar në studion e RTV Ora, Auron Tare, një ekspert i njohur ne fushen e turizmit por dhe pjesëtari i Këshillit Shkencor të UNESCO-s ngre disa problematika të turizmit shqiptar.
Tare shprehet kritik për mënyrën si po menaxhohet pa asnjë strategji sektori i turizmit, për të cilën qeveria trumpeton "patriotizmin"., duke harruar se çdo turist, qoftë nga Kosova apo Maqedonia kur jane me pushime kërkojnë kushte të mira dhe infrastrukturë.
Tare: Turizëm patriotik nuk ka. Njerëzit duan të udhëtojnë diku ku të ketë kushte të mira. Është kosovar apo shqiptar i Maqedonisë nuk do të vijë këtu të vuajë për ujë apo të ketë shërbim jo të mirë në hotel. Duhet të krijojmë infrastrukturë normale dhe jo për patriotët.
I ftuar në RTV Ora ai thotë se dalja nga kjo krizë do të jetë e vështirë, pasi kompanitë e udhëtimit nuk sjellin njerëz në vende me bilance të larta të COVID-19, kjo pasi siguracioni nuk ua lejon.
Të gjithë ata që mendojnë që këtë vit do t'ia dalin, nuk e njohin mirë turizmin, pasi kompanitë e mira turistike janë gjithmonë të siguruara. Dhe asnjë kompani me tru në kokë nuk çon njerëz në vende që ka pasur COVID. Sepse siguracioni nuk e lejon. Kushdo që del dhe thotë që do sjellim turista nuk e di këtë gjë. Mund të vi ndonjë çarter nga Bjellorusia, nga ata që rrinë në fabrikë e vijnë, se jane të pasiguruar, por nuk është ky turizmi, Flasim për turizëm me cilësi.
Intervista në studio me gazetaren Besmira Pelushaj, përgatiti në online Endi Mullaj
