Takimi i kryeministrave të Ballkanit, ekspertët: Shqipëria të paraqesë projekte konkurruese për financim

Takimi i kryeministrave të Ballkanit, ekspertët: Shqipëria

Takimi rajonal i Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 26 gusht në vendin tonë,  është një mundësi e mirë që Shqipëria, sikurse dhe vendet e tjera të rajonit duhet ta shfrytëzojë për të shpalosur projekte që bindin BE për t’u financuar.

Dy ekspertët e ekonomisë, Selami Xhepa dhe Zef Preçi, theksojnë se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm edhe në kuadër të procesit integrues në BE.

Selami Xhepa: “Takimi i kryeministrave të vendeve të rajonit shërben për të identifikuar ato projekte që janë prioritete për secilin vend, të cilat duke qenë prioritete kombëtare janë njëherësh projekte të rëndësishme për të gjithë rajonin në tërësi. Duhet të ketë sa më shumë konsensus mes kryeministrave të vendeve të rajonit për të identifikuar disa projekte që do paraqiten me një zë për financim nga strukturat e Bashkimit Europian”

Zef preçi: “Bashkimi Europian po bën përpjekje që të inkurajoj bashkëpunimin mes vendeve të rajonit që të mbaj gjallë ëndrrën europiane të këtyre vendeve. Mendoj se qoftë CEFTA, qoftë ideja e zonës ekonomike të Ballkanit Perëndimor, qoftë procesi i integrimit janë një mundësi e mirë për të avancuar me eleminimin e barrierave në shkëmbimet tregtare sidomos me Kosovën dhe për të inkurajuar investimet reciproke”

Sipas ekspertëve të ekonomisë, një nga problemet e Shqipërisë për thithjen e financimeve të huaja është mungesa e projekteve prioritare për zhvilimin ekonomik. Ndaj ata sygjerojnë që qeveria të jetë më e kujdesshme në këtë drejtim, për të qenë edhe më konkurreuse në rajon.

Selami Xhepa: Deri tani nuk është se Shqipëria ka qenë një vend i suksesshëm qoftë sa i takon paraqitjes së projekteve kompetitive që të kenë përfituar. Në fakt vendet e tjera kanë qenë shumë më të suksesshme, në veçanti Serbia. Për Shqipërinë problem themelor vazhdon që të mbetet prej kohësh aftësia e ulët absorbuese edhe e fondeve që ne kemi në kuadër e projketit IPA, por edhe projekteve të tjera të BE dhe jo thjesht si projekte rajonale. Kjo ka bërë që dobësitë e administratës në përgjithësi dhe mungesa e kapaciteteve tona për të hartuar projekte fituese që marrin mbështetje financiare të vazhdojë të jetë e dobët. Shpresojmë shumë që në nismën e tanishme të procesit të Berlinit, Shqipëria të asistohet më shumë për të qenë në gjendje që të paraqesë projekte që të kenë vërtetë sukses”

Zef Preçi: “Në rastin e Shqipërisë problemet lidhen me mungesën e prioriteteve sa i takon zhvillimit, do të thotë që Shqipëria ende nuk ka një axhendë të brendshme të zhvillimit ekonomik që do të respektohet mundësisht dhe nga një qeveri tjetër dhe që krijon mundësi për të pasur një ekonomi më konkuruese, më të aftë për të eksportuar, për rrjedhojë për t’u afruar më shpejt me BE. Shpresoj që qeveria e re shqiptare, të ketë në programin e saj, në përparësitë e veta identifikimin e prioriteteve zhvillimore siç janë bujqësia dhe turizmi, por të ndërtojnë politika që realisht mundësojnë fuqizimin e këtyre sektorëve”  

Prej 10 vitesh vendet e rajonit janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, CEFTA. Në Forumin Ekonomik të Triestes u fol për kriijimin e një tregu të përbashkët rajonal mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, temë e cila pritet të jetë pjesë diskutimeve në takimin e kryeminsitrave të rajonit, ku do të marrë pjesë edhe komisioneri Johanes Hahn.  

/Oranews.tv/ 

EMISIONET