Shoqata e Gazetarëve Evropianë të Shqipërisë: Gjobat ndaj RTV Ora cenim i hapur i lirisë së medias
Reagon edhe Shoqata e Gazetarëve Evropianë të Shqipërisë në lidhje me gjobat dhe lajmit për mbyllje të RTV Ora.
Përmes një njoftimi, kjo shoqatë bën me dije se vendosja e 4 gjobave maksimale dhe propozimi për mbylljen e aktivitetit janë akte që shkojnë përtej detyrës së IShSh dhe krijojnë precedent negativë për lirinë e medias dhe demokracinë e brishtë që ka vendi.
Po ashtu, Shoqata shton se procedurat e ndjekur nga ISHSH janë të një anshme dhe jo në zbatueshmëri të kritereve që kanë të bëjnë me parandalimin e pandemisë.
Reagimi i plotë:
Shoqata e Gazetarëve Evropianë të Shqipërisë, shpreh shqetësim për gjobat dhe masat administrative që institucionet shtetërore kanë vendosur mbi televizionin “RTV Ora”.
Vendosja e 4 gjobave maksimale dhe propozimi për mbylljen e aktivitetit janë akte që shkojnë përtej detyrës së “Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror” dhe krijojnë precedent negativë për lirinë e medias dhe demokracinë e brishtë që ka vendi.
Procedura e ndjekur nga “ISSH” demonstrojnë një anshmëri dhe zbatim të kritereve që nuk kanë të bëjnë me parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Në këtë periudhë ku ekonomia e vendit po kalon një periudhë ndër më të vështirat sipas parashikimeve edhe të BERZH, Qeveria jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë masë lehtësuese, por përkundrazi po cenon hapur lirinë ekonomike të medias duke vendosur gjoba arbitrare.
Kujtojmë që Shqipëria ka edhe presidencën e OSBE, dhe masa të tilla janë shumë të dëmshme për imazhin e vendin. Ndërkohë raportet më të fundit për lirinë e medias japin alarmin se vendi po përkeqësohet nga viti në vit.
Shoqata e Gazetarëve Evropianë të Shqipërisë, vlerëson se kërkesa për mbylljen e RTV Ora është një akt ekstrem dhe alarm për cenimin e parimeve themelore të demokracisë dhe lirisë së fjalës. Gjithashtu vendosja e gjobave maksimale, në situatën në të cilën ndodhet media si pasojë e pandemisë, është praktikë tejet e gabuar dhe formë censure e rrezikshme. Për situatën më fundit janë vënë në dijeni edhe mekanizmat e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.
Një apel shkon edhe ndaj mazhorancës, që të tërhiqet nga kjo betejë me median dhe fjalën e lirë.
