Kryeministrat e Shqipërisë e Maqedonisë, Rama e Zaev firmosën bashkë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç për të krijuar të ashtuajturin ‘minishengen” ballkanik. Kjo iniciativë do të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave. Edhe pse në këtë takim munguan Kosova e Mali i Zi  u ftuan në takimin e radhës më 10 nëntor në Ohër.

Takimi tre palësh mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në Novi Sad ka përfunduar me një deklaratë të përbashkët për implementimin e katër lirive themelore të BE në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Deklarata  bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Duke folur në konferencën e përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, kryeministri Edi Rama tha se "shengeni ballkanik" nuk është asgjë tjetër veçse vazhdim i procesit të Berlinit për të implementuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara që kanë mbetur në letër.

Rama u kujdes të sqaronte se tre vendet hodhën hapin e parë, por nuk ka veto nga askush, përfshirë Serbinë, që kësaj nisme ti bashkohen shtetet e tjera të rajonit,  duke nënkuptuar këtu Kosovën.

Numri një i qeverisë shqiptare deklaroi se historia nuk mund të vazhdojë të taksojë rajonin, duke iu referuar pengesave në qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Takimi i radhës mes tyre do të jetë në Ohër dhe Rama tha se viti 2021 është objektivi për ta bërë realitet "shengenin ballkanik" që sipas tij do të lehtësojë edhe zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon.

Edi Rama: Ky takim nuk ka ardhur nga hiçi dhe nuk synon asnjë ekskluzivitet përkundrazi është një hap me synimin e një procesi gjithëpërfshirës.Duhe të bëjmë më shumë pa pritur nga të tjerët në funksion të njerëzve tanë, lëvizjes së lirë, në funksion të mallrave, shërbimeve dhe kapitale. Janë 26 milion orë në vit pritje në kufijtë respektivë.Pavarësisht se ka çështje të hapura në zemër të këtij rajoni kjo nuk duhet të na pengojë që duke rënë dakord të mos biem dakord për këto çështje të dakordësohemi për atë që na bashkon në funksion të qytetarëve të këtij rajoni.

Në 2017, në takimin e radhës të procesit të Berlinit në Trieste është rënë dakord për një plan veprimi në funksion të zonës rajonale ekonomike. Qëllimi që na ka bashkuar në këtë format është të shtyjmë përpara me shumë energji  procese që në letër janë shkruar dhe miratuar më shumë se njëherë dhe të mos presim ta bëjnë të tjerët për ne. I zoti e nxjerr gomarin nga balta.

Presidenti serb Alexander Vucic theksoi se kjo nismë do të përmirësojë ekonominë e 3 shteteve.

Aleksander Vuçiç: Jemi të gjithë në rrugëtimi drejt Bashkimit Europian, mbështesim njëri-tjetrin, por ne vendosëm të bëjmë diçka për vete, të vendosim për fatin tonë dhe të vendosim vetë se çfarë mund të bëjmë për qytetarët tanë dhe jo të presim të tjerët se çfarë mund të bëjmë. Përse të mos e bëjmë vetë dhe përse të mos bëjmë më shumë, kush na ndalon?

Edhe pse mungoi Kosova, Presidenti Serb Vuçiç firmosi në deklaratën e përbashkët, ku kërkohet anëtarësimi i të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zoran Zaev: Do të jemi 6 vende, nuk jemi vetëm në 3 vende që jemi bërë sëbashku. Kosova është për të krijuar qeverinë, Bosnja ka të tillë situatë.


"Rajoni nuk është një fidanishte ku mund të eksperimentohet"

Edi Rama: Deklarata nënvizon natyrën gjithëpërfshirëse. I vetmi ndryshim është se nuk na ka mbledhur ndonjë kujdestar nga Brukseli por nevoja për të rritur ekonominë, për të ulur papunësinë, për të luftuar krimin e organizuar transnacional, për të luftuar emigracionin e paligjshëm, për të përmirësuar kushtet e jetesës së gjithë qytetarëve, për të rritur shpejtësinë e shkëmbimeve dhe për të garantuar në këtë rajon katër liritë themelore që janë në bazë të Europës së bashkuar.Nuk do të presim dhe nuk do të rrimë në vendnumëro në funksion të çuarjes përpara të pjesëve të një plani të përbashkët të miratuar në procesin e Berlinit që sot e gjithë ditën ka mbetur në letër. Do të bëjmë gjithçka që kjo të ndodhë për të gjitha vendet e rajonit, jo thjesht për tre vende. 

Synimi i përbashkët është të jemi pjesë e familjes së madhe të Europës së Bashkuar, por ndërkohë që ajo ka problemet e veta të brendshme ne nuk mund të jemi peng i të shkuarës dhe as peng i mosdakordësive të qarta në dëm të fëmijëve që po rriten në gjithë këtë rajon.Gjithë rajoni jep një shembull që nuk është një zonë e kategorisë së dytë, nuk jetojnë qytetarë të kategorisë së dytë dhe nuk është as një fidanishte për të bërë ekpsperimente në pritje që familja europiane të jetë gati të na përqafojë dhe të na ulë në tavolinë.Është gjithçka në funksion të së ardhmes europiane, në funksion të së ardhmes së fëmijëve tanë.Kemi rënë dakord të takohemi në Ohër përsëri dhe të ftohen të gjithë të tjerët padiskutim. 

Por ama një situatë e njohur përsëritjesh të problemeve këtu dhe atje të na mbajë peng të gjithëve, duhet të shkojmë përpara.Asnjë shqetësim në asnjë aspekt. Brenda vitit 2021 ky territor të jetë një territor ku katër liritë të jeni një realitet. Miqtë tanë europianë mund të thonë çfarë është ky Shengen, mund ti gjejmë një emër tjetër nuk ka problem.Por do të jetë e njëjta gjë. Kush hyn në një nga vendet tona do të jetë i lirë të qarkullojë në të gjitha vendet.

Garancia do të jetë bashkëpunimi për sigurimin e të gjithë perimetrit të jashtëm. Vullneti është i plotë për ta bërë me të gjitha vendet. Nuk ka asnjë veto për askënd dhe asgjë. Shikoni dhe një shifër tjetër, është 5-fish kostoja e qytetarëve krahasuar me BE për të kaluar nga një kufi në tjetrin. Këto kosto nuk kanë pse ti paguajnë qytetarët. Historia boll na ka lënë mbrapa por nuk mund të vazhdojë të taksojë të ardhmen tonë. Taksat i vendosin parlamentet e zgjedhura, nuk i vendos historia.

"Dera e hapur për 3 shtetet e tjera të rajonit, Ballkani nuk është prioritet i BE"

Edi Rama: Nuk ka ndryshim axhende në raport me të gjitha angazhimet e dakordësuara me partnerët tanë europiane në funksion të Ballkanit Perëndimor. Por ka një ndryshim formati që është i ndërtuar mes nesh pa pritur që BE të ketë kohë për tu marrë me ne. Le ta themi siç është në realitet, ne nuk jemi prioritet i BE, prioritet i BE është vetë BE, procesi për të reformuar BE. 

Ndërkohë që ne nuk mund të presim të bëhemi priroritet i BE për të çuar përpara gjërat që kemi dakordësuar me njëri-tjetrin në të 6 vendet dhe BE. Duhet të avancojmë. Nuk është e rastësishme që për një muaj do të takohemi në Ohër dhe një muaj më pas në Shqipëri. Duke i ftuar që të gjithë të jenë aty. Nuk e kemi më të vështirë pse nuk janë miqtë tanë këtu, nuk është më e lehtë sigurisht, dhe ne do të ftojmë që të gjithë ata që mund të na ndihmojnë me kontributin e tyre, por nuk do të presim.

/Ora News.tv/