RTV Ora News dhe fondacioni "Ora e Mendimit" gëzojnë fëmijët në Spitalin Pediatrik
Në këtë prag Krishtlindjesh dhe Viti të ri, jo të gjithë fëmijët kanë mundësinë dhe fatin të festojnë në shtëpi pranë familjeve.
Babagjyshi, i thirrur nga fondacioni “Ora e mendimit” dhe televizioni Ora News, mbërriti në ambientet e spitali perdiatrik në qendrën spitalore “Nën Tereza”, ku fëmijët po kurohen
Santa vizitoi fillimisht fëmijët që kurohen pranë shërbimit të onko-hematologjisë pediatrike duke biseduar me ta dhe duke i dhënë dhurata kreative për tu argëtuar gjatë kohës që kalojnë në spital.

Së bashku me babagjyshin dhe Mjekët e pediatrisë kanë përgatitur surpriza për t'i bërë festat edhe më speciale.
Mirela Hasanaj, Zv-drejtoreshë e përgjithshme QSUT: Mua më ka ardhur shumë mirë, sepse jam viti i dytë që jam Zv-drejtoreshë e përgjithshme QSUT dhe ka pasur një sensibilizim nga e gjithë popullata. Më kanë kënaqur këtë vit fëmijët shkollave që me shpenzimet e tyre kanë blerë dhurata për fëmijët e pediatrisë. Kemi organizuar "mjekët gazmorë" është një projekt shumë i bukur.
Psikologia në pediatri Ada Mehmeti na tregon se kujdesi psikologjik për fëmijët në spital është po aq i rëndësishëm sa trajtimi fizik i sëmundjeve me të cilat përballen të vegjlit. Ndaj ajo kërkon angazhimin e kujtdo që mund të kontribuoj në mirëqenien e tyre.
Ada Mehmeti: Fëmijët kanë mbështetje psikologjie gjatë gjithë kohës. Ne mundohemi nëpërmjet artit të terapisë së lojës, që të zbusim simptomat që vijnë nga mjekimi i vështirë që marrin.
Pakot e fundvitit gëzojnë jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit të cilët ndjekin intensivisht kurimin e fëmijëve duke u shkëputur dhe në periudha të gjata nga punët e tyre.

Stacioni i dytë i babagjyshit ishte reparti i reanimacionit, ku përshëndeti foshnjat dhe përmes dhuratave plotësoi një pjesë të nevojave të spitalit.
Ermira Kola, Shefe e Shërbimit të Reanimacionit Pediatrik: Ne u gëzuam që erdhët sot dhe ju urojmë Gëzuar Krishtlindjen.
Fondacioni “Ora e mendimit” ka në thelb të tij qëllimin për të ndihmuar të rinjtë dhe fëmijët të kenë një jetë sa më dinjitoze, si dhe të sensibizojë shoqërinë për tu angazhuar në dhurimin e çka munden për fëmijët dhe personat që gjenden në kushte të vështira.

Për “Orën e Mendimit” kontributi ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta është një mision. Iniciatoria e këtij projekti, Mariam Ndroqi thote se ky është vetëm fillimi një kauze që synon t'i përkushtohet për shumë gjatë.
Kjo nuk është hera e parë që Ora News viziton spitalin pediatrik, më parë edhe Presidenti i Televizionit Ylli Ndroqi ka ndërmarrë një sërë nismash në ndihmë të spitalit pediatrik.

