Rama: PD nuk e do 18 qershorin, po merr jetë një qasje e re ndaj BE-së

Rama: PD nuk e do 18 qershorin, po merr jetë një qasje e re ndaj

Teksa opozita shfaqet e vendosur në bojkot, kryeministri Edi Rama deklaron se data e zgjedhjeve nuk do të shtyhet. Deklaratën e bërë në komunikimin javor, Rama e përforcoi edhe me një akuzë se ata që nuk e duan 18 qershorin,  po punojnë kundër bashkimit të vendit me BE-në dhe pro kundërshtarëve të saj.

Rama: Është një betejë që Shqipëria nuk mund ta humbasë përsëris siç e ka humbur në të shkuarën e largët dhe të afërt. Është një përplasje mes të ardhmes dhe të shkuarës që Shqipëria nuk mund ta shtyjë përsëri. Sot dua t’u them pse mendoj që në Shqipëri po merr pak e nga pak formë një qasje e re politike ndaj Bashkimit Evropian. Janë gati të bashkohen me kundërshtarët e BE-së, në rajon dhe në Evropë, në Perëndim dhe në Lindje, sepse e duan Shqipërinë si një çiflig pandëshkueshmërie, e duan Kushtetutën si një libër pa kuptim, i duan ligjet pa vlerë, i duan gjykatat pa din dhe politikën pa iman.

Kreu i qeverisë përsëriti akuzën ndaj Partisë Demokratike se po pengon reformën në drejtësi nga frika e ndëshkimit të ligjit.

Rama: Nuk e dua 18 qershorin, sepse 18 qershori ndan përfundimisht Shqipërinë që lufton për drejtësi e punë të ndershme për secilin, për shtet dhe mirëqenie për njerëz të zakonshëm të këtij vendi, nga Shqipëria e drejtësisë së kapur, e punësimit sipas teserës së skllavërimit partiak për një copë bukë. Populli do të vendosë jo për Shqipërinë e 4 viteve të ardhshme, por për Shqipërinë që duam, për fëmijët dhe të moshuarit, për familjet e zakonshme dhe familjen e madhe të kombit tonë.

Pavarësisht thirrjeve të përsëritua edhe nga aleati Ilir Meta, për tu ulur në tryezë dialogu me opozitën, palët duket se nuk duan të negociojnë, teksa edhe ftesa e kryeministrit Rama për dialog pa kushte nga lideri demokrat Basha nuk është konsideruar si një ftesë serioze. Në kushtet kur jave e ardhshme shënon edhe nisjen e procedurave për zgjidhjen e presidentit, mungesa e konsensusit mund të çojë edhe në krizë institucionale.  

/Ora News.tv/

 

EMISIONET