Rama mesazh opozitës: Vritni veten politikisht, por nuk vendosni asgjë për ne
Nga Ura Vajgujore, kryeministri Edi Rama paralajmëroi opozitën se nuk do të mund të shkatërrojnë dot Kushtetutën.
Rama: Kërkojnë të na imponojnë rregulla që nuk i kemi vënë së bashku dhe kërkojnë të shkatërrojnë rregullat e vëna së bashku dhe të votuara nga populli në Kushtetutën e Shqipërisë, ta harrojnë, nuk ka për të ndodhur.
Për Ramën opozita ka frikë nga zgjedhjet dhe populli. Ndaj, Kryeministri theksoi se ata janë të lirë të vrasin veten politikisht, por nuk do të mund të vendosin asgjë për mazhorancën dhe Shqipërinë.
Rama: Ata kanë frikë nga zgjedhjet prandaj bërtasin në rrugë kundër zgjedhjeve. Kanë frikë të dalin para popullit dhe të gjykohen për çfarë ofrojnë. Kërcënojnë rrugëve me popullin imagjinar të punonjësve të bashkive të tyre. Kanë frikë të ballafaqohen dhe përbetohen se nuk do të lejojnë popullin në zgjedhje. Ata mund të vendosin lirisht të vrasin veten politikisht por përveç kësaj nuk vendosin asgjë tjetër për ne dhe Shqipërinë që duam.
Kritikëve se zgjedhjet pa PD-LSI dhe aleatët e tjerë janë moniste, Rama u rezervoi këtë përgjigje:
Rama: E dëgjoni zërin e disave që pa të keq thonë si mund të bëhen zgjedhjet pa opozitën kryesore.I bie që të bëhemi prapë një vend me një parti. Nëse opozita kryesore sot mungon në zgjedhje dhe kjo si rezultat i pengesës që i bëhet nga ana jonë, zgjedhjet do të ishin absolutisht anti-demokratike. Por nëse opozita ka shpallur vetë kapitullimin para zgjedhjeve, zgjedhjet nuk janë aspak jo demokratike.
Ne jemi shumë, ata janë shumë pak dhe do të jenë gjithmonë e më pak. Përveçse janë pak janë dhe dembelë dhe të paaftë për të drejtuar. Ne pavarësisht të metave që kemi, jemi punëtore dhe të përkushtuar në drejtim. Ata kanë frikë nga zgjedhjet por edhe panik nga reforma në drejtësi. Ne nuk kemi frikë nga zgjedhjet dhe jemi të vendosur ta mbështesim deri në fund zbatimin e reformës në drejtësi.
Paralajmërimi i Ramës ishte i qartë kur përjashtoi një pakt të dytë me Bashën.
Rama: Herën e kaluar i shpëtuam, këtë herë nuk i ndaluam dot të vrasin veten politikisht. Ne nuk jemi më të mirët por më të mirë se ne nuk ka. O e bëjmë ne këtë vend dhe e bëjmë tani duke bërë nga një hap të vogël ditë për ditë me reforma të vështira, o ky vend nuk bëhet për kushedi edhe sesa vite e vite të tjera. Ata e morën në qafë një gjeneratë. Ne do ta mbajmë në krahë dhe do ta ngremë lart gjeneratën tjetër. Ne nuk bëjmë sa duam por bëjmë sa mundemi.
