Rama për akuzat: Ata që thonë vdesim po nuk paguam, s'kanë shkuar në spital
"Guri më i rëndë i themelit për të pasur një shërbim dinjitoz shëndetësor është infermieri". Këtë vlerësim, kryeministri Edi Rama e përfocoi me një thënie: "Shpëto një jetë dhe bëhesh hero, shpëto më shumë dhe je infermier".
Por Kryeministri nga ana tjetër nënvizoi se mes personelit të këtij sistemi ka edhe nga ata që njollosin bluzën e bardhë, por që nuk janë shumica sipas tij.
Edi Rama: Niseni për në punë me idenë se mund të jeni Zoti në tokë për ata që kanë nevojë për shërbimin tuaj. Kur mendon këtë është e pashmangshme të mendosh dhe tjetrën që për njëmijë e një arsye të drejta dhe të padrejta, njerëzit në sistemin e shëndetësisë sot janë objekt i një përceptimi shumë të rëndë për shërbimin shëndetësor. Në sistemin tonë ka mjekë, ka edhe infermierë, ka edhe të tjerë që e njollosin bluzën e bardhë por ajo që unë mund të dëshmoj në vetë të parë është se jo vetëm që nuk janë të gjithë njësoj por shumica nuk janë të tillë, shumica janë gra dhe burra, vajza dhe djem që e mbajnë bluzën e bardhë me dinjitet.
Nëse pyet njerëzit që për fat të mirë nuk e kanë marrë ndonjëherë rrugën e spitalit në këto vite, përgjigjia është se në spital po nuk pagove, vdes. Ama nëse pyet ata që marrin shërbimin sot e prej disa vitesh jo vetëm që nuk është e njëjtë por në shumë raste kam krenarinë dhe kënaqësinë të marr mesazhe nga njerëz të zakonshëm që pasi kanë marrë një shërbim në spital shkruajnë që janë të befasuar dhe nuk e prisnin të shërbeheshin me aq dinjitet dhe të mos u kërkonte askush lekë. Kjo nuk do të thotë se kështu ndodh gjithmonë dhe kudo por do të thotë se pavarësisht investimeve që ne bëjmë që nuk njanë kurrë mjaft, pavarësisht përpjekjeve që ne bëjmë për të çuar përpara reformën e sistemit, themeli i palëvizshëm i suksesit mbeteni ju dhe të gjithë ata që punojnë në sistem.
Duke folur në Kongresin e Parë të Infermierëve të Shqipërisë, Rama shprehu angazhimin për punësim sipas meritës edhe pse pranoi se vazhdon ndodh shumçka në inercinë e së shkuarës.
Rama: Por sigurisht që në komunitetin tuaj mund të gjesh me mijëra dëshmi të vështirësive të jashtëzakonshme për të mbijetuar në detyrë, për të bërë detyrën pa qenë nën presionin e tmershëm jo vetëm të kushteve të vështira, mungesës së mjeteve por edhe pasigurisë se sot ishe, nesër nuk ishe. Punësimi sipas meritës është një sfidë shumë e madhe në këtë vend.Është një luftë e përditshme me njerëz të të gjitha llojeve, kategorive, ngjyrave që janë mësuar me avazin e vjetër. Dua t'ua them shumë hapur edhe brenda nesh, çdo njeriu që ka të drejtë dhe meriton përpara kujdo qoftë tjetër të marrë vendin e punës në një shërbim ne duhet ti garantojmë se merr vendin e punës. Jam i vetëdijshëm se vazhdon ndodh shumçka në inercinë e së shkuarës por kam arsye të jep besimplotë dhe optimist që do ja dalim.Portali nuk do jetë më mekanizëm por do jetë ligj, i cili do të bëjë që emërimet në punë të infermierëve dhe mësuesve nuk i vendos më askush tjetër përveç pikëve që secili merr në testim.
Me premtimin për investime të reja dhe rritje të pagave në këtë sektor, Rama shprehu edhe një vlerësim për gratë që në bindjen e tij janë më të përkushtuara në punë dhe më pak të korruptuara.
Rama: Kemi garantuar financimin për ndërtimin dhe rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore në rang republike. Aty ku sot në kushte jashtëzakonisht të vështira, mizerabël shkojnë prej vitesh në punë nëna, gra të reja dhe vajza që veshin bluzën e bardhë. Burrave mund tu bëjë përshtypje që unë u referohem në mënyrë të paekuilibruar gjinisë femërore të infermiereve por me gjithë respektin për burrat nuk është sekret që unë jam gjithmonë e më i prirur dhe sa më shumë të punoj në këtë detyrë dhe sa më shumë shoh se çfarë bëhet në këtë vend të besoj dhe të veproj me bindjen se këtë vend sa më të mirë e duam aq më shumë gra duhet të përfshijmë për ta bërë të mirë. Dhe se gratë janë absolutisht më serioze, më të dedikuara dhe shumë më pak të korruptueshme se burrat në gjithë sistemin. Bashkëvuajtësit e gjinisë sime mos u mërzisni për këtë realitet të hidhur.Pagat e infermierëve duhet të vazhdojnë të rriten.
