Ndërrimi i viteve, policia merr masa për parandalimin e ngjarjeve kriminale
Drejtori i Rendit Publik ne Departamentin e Rendit dhe Sigurise Publike ne Policine e Shtetit, Albert Dervishi ne prononcim per mediat preznatoi masat e policisë për natën e ndërrimit të viteve.
Në një dalje për mediat, ai tha se shërbimet e rendit dhe të FNSH janë në funksion për parandalimin e ngjarjeve të ndryshme kriminale.
Policia i bëri apel qytetarëve që të kenë kujdes me përdorimin e fishekzjarrëve.
Albert Dervishi: Kemi rritje të prezencës së policisë rrugore në akset kryesore rrugore, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore, si dhe e shërbimeve të rendit dhe të FNSH-së për parandalimin e ngjarjeve të ndryshme kriminale. Në këtë natë të ndërrimit të viteve Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të jenë të kujdesshëm në Përdorimin e fishekzjarrëve, duke evituar përdorimin e tyre nga fëmijët. Policia e Shtetit dëshiron të sigurojë qytetarët shqiptarë dhe të huaj që do të festojnë natën e ndërrimit të viteve në Shqipëri, se do të jetë pranë tyre për garantimin e rendit publik, të sigurisë së jetës së qytetarëve dhe të pronës së tyre.
Ndërsa shefi i policisë rrugore Arben Ahmeti i ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e sjelljes në rrugë, duke mos pirë alkool, mos përdorur celularin në ecje, dhe mos tejkalojnë shpejtësinë.
Ahmeti: Policia rrugore edhe sot në datën 31 dhjetor pak para ndërrimit të viteve ka një apel për të gjithë drejtuesit e mjeteve në lidhje me parametrat e sjelljes, me përdorimin e alkoolit, me përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe ecjes me shpejtësi. Respektoni normat e sjelljes, mos përdorini pije alkoolike gjatë drejtimit të mjeteve, festoni por mos përdorni pijet alkoolike, përdorni mjetet e transportit publik për të shkuar në destinacione.
Ahmeti tha se policia rrugore është në gatishmëri dhe ka marrë masat për menaxhimin e situatës.
