PD: 20 mijë familje pa ndihmë ekonomike, qeveria fsheh sistemin e pikëve
Partia Demokratike akuzon Qeverinë se refuzon të publikojë sistemin e pikëve mbi bazën e të cilit vendos për ndihmën ekonomike.
Anëtarja e Komisionit të Çështjeve Sociale, Grida Duma, publikoi përgjigjen e cunguar të qeverisë, jashtë afatit ligjor, ku renditen vetëm kriteret, por jo pikët, siç kërkohej në shkresën e 31 janarit.
Duma thotë se nga përgjigja është e qartë se kriteret e ndihmës janë subjektive dhe abuzive.
"Sipas përgjigjes së qeverisë, nëse një familje ka tualet brenda banesës, lavatriçe apo sobë me dru apo pa dru, qeveria e skualifikon nga skema e ndihmës".
Sipas deputetes demokrate, absurditeti i kritereve qëndron tek fakti se këto kritere janë vendosur, kur e njëjta qeveri u ka shpërndarë të njëjtave familje dekodera dixhitale.
"Siç vihet re në shkresë, qeveria vazhdon të fshehë sistemin e pikëve që merr secili kriter dhe si përllogariten në çdo zonë ku po aplikohet kjo skemë. Kjo do të thotë se skema është e manipulueshme".
