Pekini ndalon betimin e 2 politikanëve në Hong Kong
Kina ka bërë një ndërhyrje të paprecedent në politikën e Hong Kong-ut, pasi ka ndaluar dy ligjbërës të rinj të hyjnë në zyrë e të marrin detyrën. Shkak për këtë janë bërë kërkesat e tyre për pavarësinë e plotë të Hong Kong-ut nga Kina, gjë që kërkohet me ngulm nga edhe populli në ishull, por që nuk pranohet nga republika komuniste.
Pekini ka bërë një ndërhyrje të paprecedent në politikën e Hong Kong-ut, duke mos lejuar dy politikanë të marrin detyrën. Ligjbërësit pro-pavarësisë, Sixtus Leung dhe Yau Wai-ching kanë refuzuar t'i premtojnë besnikëri Pekinit, teksa betoheshin për të nisur detyrën e tyre. Pekini tashmë ka interpretuar një pjesë të ligjit të Hong Kong-ut, për të mos lejuar asnjë zyrtar që nuk betohet siç duhet, që të hyjë në parlament. Ky akt vjen pas disa javësh kaos në legjislaturën e ish-kolonisë britanike. Protesta masive pushtuan Hong Kong-un gjatë të dielës dhe të paktën katër persona janë arrestuar nga policia.
Hong Kong-u është një rajon gjysmë-autonom që qeveriset nën parimin "një vend, dy sisteme" që prej vitit 1997. Por kushtetuta e saj thotë se Pekini ka fjalën e fundit në mënyrën si interpretohet ligji.
Ky interpretim i Kongresit Popullor Kombëtar përbën ndërhyrjen më të madhe kineze në Hong Kong. Politikanët Leung dhe Yau i përkasin Partisë Youngspiration, e cila lindi nga protestat pro-demokratike të 2014. Të rinjtë u zgjodhën në votimet e shtatorit dhe janë përpjekjur disa herë të betohen, por çdo herë, ata kanë ndryshuar në mënyrë provokuese fjalët e betimit. Përpjekjet e tyre përfshijnë një seri fjalësh ofenduese ndaj Kinës dhe banderola pro-pavarësisë. Ndërkohë, një zëdhënës i Këshillit Shtetëror të Pekinit tha se kjo lëvizje është "absolutisht e nevojshme" dhe është "tërësisht në përputhje me aspiratën e përbashkët të të gjithë popullit kinez", duke përfshirë edhe ata në Hong Kong.
