Vrasja e dyfishtë në Kurbin, Eduard Lamaj pranon krimin: Doja të dëmtoja hotelin
Ora News zbardh detaje si u zbulua vendndodhja e autorit kryesor të vrasjes së dyfishtë të ndodhur më 30 maj në Kurbin, ku mbeti i vrarë Paulin Gjergji dhe Bujar Lika si dhe u plagos Kreshnik Tusha.
Falë pamjeve të filmuara nga kamerat e sigurisë policia ka mundur të bëjë identifikimi e autorit i cili mbeti edhe ai i plagosur. Më pas janë ndjekur lëvizjet e familjarëve të tij të cilët mbrëmjen e djeshme, 22 qershor, e kanë sjellë në Tiranë tek një klinikë private në afërsi të Qytetit Studenti për ta mjekuar ilegalisht.
"Policia ka arritur në gjurmët e autorit pasi ka identifikuar ADN e gjurmëve të gjakut dhe ka verifikuar pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë. Pas identifikimit të Eduard Lamajt, janë mbajtur në vëzhgim familjarët të cilët dy ditë më parë (21 qershor) e kanë sjellë në Tiranë ku kanë qëndruar tek banesa e të motrës dhe mbrëmjen e djeshme e kanë dërguar pranë klinikës private tek qyteti Studenti për tiu nënshtruar ndërhyrjes kirurgikale" raporton Ora News.
Pranon krimin por hesht - Burimet nga policia bëjnë me dije se 30 vjeçari është marrë në pyetje gjatë ditës së sotme.
Ai ka pranuar autorësinë e krimit por nuk ka dhënë shumë detaje, duke thënë se ka pasur një konflikt të vjetër me Bujar Likën, dhe jo konflikt me viktimën tjetër.
30-vjeçari është shprehur se nuk ka patur për qëllim ti vrasë, por të dëmtonte hotelin, për shkak të një konflikti të vjetër me pronarin.
Policia ka arrestuar dy mjekët e klinikës, Viktor Marku, 42 vjeç dhe Besim Lama, 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Tre ne kërkim- Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dhe tre bashkëpunëtorët në vrasje. Operacioni u kodua "Klinika" dhe grupi i posaçëm hetimor perbehej me specialistë nga Drejtoria për Krimet Kundër Personit në Departamentin e Policisë Kriminale, specialistë të DVP Lezhë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin. Operacioni u bazua në informacionet e marra dhe u krye nga nga DVP Lezhë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
