Nuk deklaroi rreth 107 mijë euro në Rinas, francezi kapet në Sarandë
Policia e Sarandës ka sekuestruar 106 890 euro dhe 102 dollarë, ndërsa ka procedura penalisht poseduesin e tyre, një shtetas francez, i cili nuk e kishte deklaruar sasinë e parave në kufi.
"Policia e Sarandës si edhe si rezultat i shkëmbimit në kohë të informacionit me Policinë Kufitare të Rinasit, godet një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.Policia ka shoqëruar shtetasin francez R. Ch., 70 vjeç dhe gjatë kontrollit këtij shtetasi i janë gjetur 106 890 euro dhe 102 dollarë".
Ky shtetas kishte hyrë në Shqipëri nëpërmjet aeroportit të Rinasit dhe nuk kishte deklaruar shumën e të hollave në kufi, sipas ligjit dhe në momentin e gjetjes së shumës së parave nuk dispononte dokument me vete për të justifikuar burimin e tyre.
Nën drejtimin e prokurorisë, u kryen veprimet procedurale, u bë sekuestrimi i shumës së parave dhe shtetasi R. Ch. u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".
Gjithashtu, ky shtetas u procedua edhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.Vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
