Sociologu Gëzim Tushi i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora komentoi ngjarjen e rëndë ndodhur në Kavajë, ku një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur, nën motivin krim pasioni.

Sipas Tushit kjo ngjarje nuk është krim pasioni, por një akt kriminal, që dëshmon për realitetin ballkanik të ngjarjeve që zhvillohen në vendin tonë.

Tushi: Unë nuk e kam parë si krim pasioni, por e kam parë si një akt kriminal, pavarësisht rrethanave, komplikacionit të marrëdhënieve që mund të ketë ngjarja që kërkon të zhbirohet me kujdes. Nuk mund të nxjerrim konkluzione pa e analizuar në esencë se si ka qenë kjo ngjarje. Kontradikta të tilla që janë normale në një shoqëri moderne, duke përfshirë dhe këto marrëdhëniet brenda dhe jashtë martesore, lidhjet paralele etj, i kemi dhe ne nuk mund të bëjmë sikur nuk i shikojmë, duhet ti marrim ashtu siç janë. Fakti që një ngjarje e tillë u shoqërua me akte kriminale, kam përshtypjen që  dëshmon për realitetin ballkanik të ngjarjeve që zhvillohen në vendin tonë.

Gazetarja: Ju mendoni se në këtë rast gruaja ishte viktimë në këtë ngjarje?

Tushi: Sido të jetë pozita e gruas në këtë realitet, unë nisem nga parimi që ajo është në të drejtën e saj private, trupi i saj është privat. Nuk mund të themi se ajo është shkaku që një njeri humbi jetën dhe një tjetër u plagos. Sepse kjo është një zgjidhje jo humane, një zgjidhje kontradikte, qoftë edhe një rivalitet erotik që ekzistonte mes dy rivalëve. Meshkujt në shoqërinë shqiptare e kanë cik të ekzagjeruar rivalitetin mashkullor kur kanë këto lidhjet dhe e keqja më e madhe është se kryesisht në rajonin e ballkanit probleme të tilla i zgjidhim në mënyrë të vrazhdë, brutale dhe ndonjëherë edhe në mënyrë kriminale. Kjo gjë nuk ndodh në Perëndim.  

/Ora News.tv/