Në Itali janë mbi 48 mijë persona me shtetësi të huaj që rezultojnë të humbur
Në Itali aktualisht rezultojnë 57 713 persona të humbur, rreth 48 mijë prej tyre janë shtetas jo italianë, e ndër ta 39.243 janë minorenë me kombësi të huaj.
Komisari i Jashtëzakonshëm pranë qeverisë italiane për personat e humbur ka prezantuar në Parlamentin Italian raportin e fundit me të dhënat e personave të deklaruar të humbur nga viti 1974 e deri më sot.
Të dhënat e këtij raporti shfaqin tendencën e një rritje të dukshme të personave me kombësi të huaj që aktualisht rezultojnë të humbur, dhe ajo që preokupon më shumë në këtë raport është numri i lartë i minorenëve të humbur me kombësi të huaj.
Nga viti 1974 kur nisi mbledhja e statistikave zyrtare të personave të humbur e deri më 31 dhjetor 2018, në Itali janë deklaruar të humbur 229.687 persona, 171.974 prej të cilëve janë gjetur të gjallë apo vdekur nga forcat e rendit, ndërsa nuk ka ende gjurmë për 57 713 prej tyre.
Sipas raportit të qeverisë italiane ndër 57 713 të deklaruar të humbur deri më fund të 2018, 41.655 janë minorenë e 39.243 të tyre janë minorenë me kombësitë huaj.
Ende nuk ka një raport zyrtar me grafikët e kombësive përkatëse të personave të humbur të huaj në Itali.
Rajonet italiane me numrin më të lartë të personave të shpallur të humbur janë; rajoni i Siçilisë, i Lazios, Kampanjës, Kalabrisë e Puglias.
Analiza e tërthortë e të dhënave të këtij raporti tregon se shumica e personave të humbur me kombësi të huaj janë të seksit mashkull , saktësisht 38.492, ndërsa 9.561 janë femra.
Gjithsesi ky raport tregon se gjatë vitit 2018 vihet re një trend rritje në gjetjen e personave të humbur në krahasim me një vit më parë. Sivjet mbi 74% të peronave të deklaruar të humbur janë gjetur, ndërsa më 2017 vetëm 57.8% e tyre.
Studiuesit e motivojnë numrin e lartë të shtetasve të huaj të rezultuar të humbur në Itali, me fluksin e madh të emigrantëve me të cilin është përballur ky vend gjatë viteve të fundit dhe me largimin ndoshta të vullnetshëm të tyre nga kampet e refugjatëve në territor drejt vendeve të tjera të Evropës.
