Doktori ne Itali tregon telefonaten me djalin nga Lushnja: Dr. Baci kam gruan të shtruar! Nuk e di si është gjendja”. Ishte 40 vjeçe dhe humbi jetën
Mjeku shqiptar Shpëtim Baci i cili punon në qytetin e Parmës në një spital privat të Italisë, ka qenë në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Ora News. Ai ka treguar histori me disa pacientë shqiptarë që kanë qenë të infektuar, të shtruar në spital apo që kanë humbur jetën nga koronavirusi.
“Ka patur të infektuar, të shtruar në spital dhe humbje jete. I jap ngushëllime të sinqerta të gjithë shqiptarëve që kanë humbur njerëzit e tyre kudo që ndodhen. Numrin tim e kanë të gjithë shqiptarët që jetojnë në Parma dhe me të gjitha unë kam pasur kontakt.
Për fat të keq kisha një djalë nga Lushnja që më mori në telefon më tha “Dr. Baci kam gruan të shtruar dhe nuk e di si është gjendja”. Ishte 40 vjeç dhe humbi jetën, me dy fëmijë të mrekullueshëm.
Një grua tjetër shqiptare që e kam pasur paciente edhe vitet e kaluara me shumë patologji nga një zonë e Durrësit, 64 vjeç. Kam patur një grua nga Kavaja që e kaloi shumë mirë infektimin. Kam patur një infermier nga Tirana që punon me mua, edhe ai e kaloi në mënyrë fantastike. E shumë të tjerë më kanë marrë në telefon për këshilla. Por për fat të keq ka patur dhe shumë shqiptarë që kanë humbur jetën nga COVID-19”, përfundon mjeku.
