Mjeku shqiptar në SHBA: Kam frikë kur shkoj në shtëpi për familjen, ndërrohem në garazh
Doktori Sulejman Çele është Drejtor i Departamentit të Kardiologjisë në spitalin San Barnabas në Bronx të Nju Njorkut.
Doktori kardiolog ka marrë përsipër një pavion me 24 pacientë me COVID-19 të cilët i trajton çdo ditë. Në një intervistë për Ora News ai tregoi se kishin dalë nga spitali 3 pacientë ndërsa 2 ishin të intubuar në pavionin e tij.
I veshur me veshjen speciale, ai u shpreh se ka frikë edhe për familjen kur shkon në shtëpi.
“Të them të vërtetën Po. Frika është një ndjenjë humane. Eshtë e vërtetë që frikë kemi të gjithë. Do të bëjmë ç’është e mundur për pacientët. Siç e shihni tani jam me uniformë dhe po mbrohem siç e kërkojnë të gjitha standardet, por kemi frikë, megjithatë do të jemi në shërbim të pacientit deri në momentin e fundit. Kujdesi kurrë nuk është i tepruar, pastërtia higjiena. Kam frikë kur shkoj në shtëpi, për familjen, të them të vërtetën ndërrohem në garazh, bëj dush,dhe alkoll që të mbrohem. Është e vërtetë të gjithë kemi frikë, jo vetëm unë."
Doktori tregon dhe se ka paciente që janë dhe shqiptaro amerikanë.
Intervista u mor nga gazetarja Matilda Mcini.
