Meta kujton Nënë Terezën: Urtësia dhe porositë le të na shërbejnë si burim frymëzimi
Presidenti Ilir Meta kujton Nënë Terezën.
"Në 109-vjetorin e lindjes së Shenjtores Nënë Tereza, simbolit shqiptar dhe botëror të humanizmit e solidaritetit njerëzor dhe shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë e përkujdesjes të çdo nëne shqiptare, ne përkujtojmë me nderim e respekt trashëgiminë e vyer të veprës së Saj humane e hyjnore të paharruar.
Urtësia dhe porositë e Shën Terezës le të na shërbejnë si burim frymëzimi, që të gjithë së bashku, me shumë dashuri e përkushtim të bëjmë gjithçka duhet për këdo që ka nevojë për ndihmë, solidaritet e përkrahje sociale, për prosperitetin e begatinë e Shqipërisë dhe të kombit tonë!" shkruan kreu i shtetit në një postim në facebook.
Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Në moshën 18 vjeçare, e nxitur nga dëshira për t’u bërë misionare, Gonxhia u largua nga shtëpia atërore për të hyrë në Institutin e Motrave të Loretos.
Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë.
Më 17 gusht 1948 vesh për herë të parë sarin e bardhë me vija blu të grave të varfëra indiane.
Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare.
Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Shqiptarja trupvogël ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.
Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilën ia dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes.
