ALUIZNI mat zyrën e Metës, Lame: Presidenca, Kryeministria dhe Parlamenti të pahipotekuara
Problemet me certifikatën e pronësisë nuk e kanë vetëm individët, por dhe institucionet kryesore në Shqipëri. Presidenca, Parlamenti, Kryeministria por edhe Ministria e Jashtme regjistrojnë të pa hipotekuara. Kryetari i ALUIZNI-t, Artan Lame, duke e konsideruar të padrejtë kthimin e ligjit për kadastrën prej ilir Metës, premton se shumë shpejt punonjësit do të nisin matjen e territorit në selinë e Kreut të Shtetit.
Ligji për kadastrën është konflikti i rradhës mes Presidentit dhe mazhorancës qeverisëse.
Kreu i qeverisë ka konstatuar cënim të Kushtetutës në draftin e qeverisë, duke akuzuar për centralizim të pushtetit por dhe cënim të së drejtës së pronës private në projektligjin e votuar tashmë në parlament.
Por për kreun e ALUIZNI-t, Artan Lame, drafti sjell rregullimin e çështjeve të pronësisë.
Duke theksuar se Presidenca nuk ka sjellë asnjë argument të pranueshëm për kthimin e ligjit, Lame shprehet se vetëm 4 për qind e pronave shtetërore janë regjistruar.
Lame: Godina e Presidencës e ndërtuar në vitin 1959, edhe sot e gjithë ditën nuk ka certifikatë pronësie. Por as Salla ku mblidhet Kuvendi, e ndërtuar që në vitet ’50, nuk ka certifikatë pronësie. Por edhe Ministria e Jashtme, e ndërtuar që në vitet ’70, nuk është e rregjistruar dhe nuk ka certifikatë pronësie. Por as Godina e Kryeministrisë, e ndërtuar që në kohë të Italisë në vitin 1940, sot e gjithë ditën është e pa certifikatë pronësie.
Një tjetër absurditet konstatohet në certifikatën e pronësisë së Mauzoleumit të Skënderbeut.
Lame: Sot është 17 janari, i 551-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. I atij Skënderbeut që ende sot e ka pa certifikatë pronësie Mauzoleun në Lezhë, gjë që ka bërë që e gjithë ajo zonë të rrethohet, sulmohet e copëtohet me lloj-lloj pronarësh, të qenë e të paqenë.
Madje Lame premton se sapo dekretet të rrëzohen do të nisë matja e territorit të Presidencës.
Lame: Garantoj zotin President se, një ditë pas fillimit nga puna të Agjesisë së re Kadastrës, punonjësit e saj do të paraqiten gjithë respekt në derën e Presidencës së Republikës në Tiranë dhe në Portën e Mauzoleut të Skënderbeut në Lezhë, për të filluar procedurat e lëshimit të Certifikatave të Pronësisë për to, ashtu siç do vijojnë më tej me zgjidhjen e problemeve të certifikimit të pronës për gjithë pronat e tjera të shqiptarëve të këtij vendi.
Dekreti i Presidentit do të diskutohet në Komisionin parlamentar të Ligjeve për tu votuar më pas në seancën.
