Mesazhi i imzot George Frendo përmes Ora News: Të angazhohemi për një Shqipëri më vëllazërore

Të dielën dhe të hënën  në kishat e vendit u kremtua Ringjallja e Krishtit, festa e Pashkës katolike.

Si kurrë më parë katedralja e “Shën Palit” ishte bosh këtë vit për shkak të situatës së koronavirusit.

Arqipeshkvi imzot George Frendo tregon për Ora News se në kremtimet e kaluara shpesh katedralja dukej e vogël dhe e pamundur për të pritur të gjithë besimtarët, ndërsa këtë vit numëroheshin me gishtat e dorës.

Imzot George Frendo: Ishte një krejmtim me entuziazëm, i bukur dhe i devotshëm. Edhe ata në televizor kanë ndjerë entuziazmin tipik të kësaj feste. Kjo ishte e hera e parë që kam kremtuar meshën në këtë situatë. Edhe ata pak që ishin në katederale kanë qenë aktivë. Papa Françesku ka theksuar dy fjalë në mesazhin e tij, së pari shpresën dhe solidaritetin. Shpresa është një nga mesazhet kryesore në tërë Biblën. Shpresa na jep kurajo që të përballojmë çdo situatë, edhe situata të vështira. Në të gjithë shkrimet e shenjta shumë herë lexojmë fjalët "mos kini frikë". Edhe vetë Krishti i ngjallur u ka thënë atyre që ka takuar "mos kini frikë". Dhe solidaritet, çdo tragjedi është një thirrje për më shumë solidaritet. Këtë solidaritet e kemi parë në Shqipëri, në nëntor për tërmetin dhe tani.

Kleriku katolik thotë se mesazhi i Pashkës është më kuptimplotë se asnjëherë në këtë situatë, që njerëzimi do ta mundë këtë armik të padukshëm.

Imzot George Frendo: Varri është një vend i tmerrshëm por nga varri doli jeta. Duhet të përjetojmë gjithmonë këtë shpresë që edhe nga situata negative të dalë diçka e bukur. Njerëzit në këto javë që nuk kanë pasur mundësi të frekuentojnë vendet e kultit, kishat dhe xhamitë, në shtëpitë e tyre kanë pasur më shumë kohë ti drejtohen Zotit. Kam njohur shumë besimtarë që janë lutur, edhe njerëz që nuk frekuentonin kishat. Shtëpitë e besimtarëve janë transformuar në kishë shtëpiake në këto ditë.


Imzot George Frendo sot edhe kjo pandemi, ashtu si në të tjera, e kanë forcuar besimin e njerëzve në Zot dhe fe.

Imzot George Frendo: Në historinë njerëzore kemi parë se shumë tragjedi kanë qenë edhe rast që njeri të ndjejë më shumë nevojë që ti drejtohet Zoti. Edhe kjo situatë është rast që njerëzit ti drejtohen më shumë Zotit. Nuk kemi kontroll mbi këto tragjedi natyrore, mund të jetë një tërmet, përmbytje, tani virusi. Këto tragjedi na tregojnë se jemi të kufizuar. Jeta e njeriut është e kufizuar nga lindja, nga vdekja. Njeriu nuk jeton një jetë në mënyrë realiste nëse nuk ka parasysh edhe vdekjen. Edhe në kufizimet tona kemi gjithmonë fjalë që na forcojnë.

Në fund përmes mikrofonit të Ora News me gazetarin Elio Laze ai përcjell edhe një mesazh për qytetarët.

Imzot George Frendo: Urimi i Jezusit për të gjithë ata që ka takuar ishte "paqja me ju". Të angazhohemi gjithmonë për paqe. Jo vetëm për paqe mes vendeve të ndryshme, për paqe në vendin tonë. Të angazhohen veçanërisht ata që kanë autoritet politik por edhe ne si udhëheqës të besimeve të ndryshme për paqen që na bashkon më shumë.Të jetojmë gjithmonë për këtë vëllazëri. Trishtohem shumë kur shoh shpirt hakmarrje, duhet të fitojmë mbi çdo ndjenjë hakmarrje dhe të krijojmë urat që na bashkojnë.Të gjithë të angazhohemi për një Shqipëri më vëllazërore.

EMISIONET