Me sytë nga Zoti! Ora News në familjen Laci, mes skamjes dhe sëmundjeve
Varfëri do të thotë të kesh uri, të mos kesh mundësi për një strehë ku të rrisësh fëmijët e tu, do të thotë të jesh i sëmurë dhe të mos kesh mundësitë e duhura për tu mjekuar.
Me të tilla probleme ndeshet çdo ditë familja Laci, e cila përbëhet nga 6 pjesëtarë. E zonja e shtëpisë tregon se ajo nuk arrin dot të sigurojë asgjë për fëmijët e saj dhe se shteti nuk po e ndihmon as për një banesë sociale që ti rrisë fëmijët si gjithë të tjerët.
"Me këto kushte që jam unë, më keq nuk ka ku të shkojë. Të rrisësh 4 fëmijë në këtë barake është shumë e vështirë. Me 260 mijë lekë vetë i gjashti, nuk jetohet kështu."
Varfërinë në këtë familje nuk është shumë e vështirë ta dallosh. Përveç betejës për të siguruar një vakt buke për fëmijët, nëna 40-vjeçare tregon se fëmijët e saj janë të sëmurë për shkak të kushteve ku ajo jeton.
"Vjen dimri, kam frikë si do jetoj dhe si do të rri këtu.Këtë e kam me ilaçe, gocën e kam me ilaçe te kopështi. Për këtë Zot, hape frigoriferin, e kam bosh. Një kovë miell kam në shtëpi, asgjë tjetër."
Nëse je i varfër në Shqipëri është sikur të jesh inekzistent, pasi të tillë persona nuk shpresojnë mëaskund, as te shteti dhe as te bamirësia e individëve.
Madje kjo shtresë ka filluar të mos besojë më as te vetja e tyre, duke i drejtuar sytë nga Zoti.
"E di që jeta ime ka ikur. I lutem Zotit, por prapë e kam humbur shpresën."
